Doli prononcimi zyrtar i Komunës së Preshevës rreth shlyerjes së borxhit ndaj EPS-it për 11 xhamitë e Komunës sonë
Komuna e Preshevës ka parandaluar mos shkyçjen e disa xhamive nga rrjeti elektrik
Ditë më parë, për shkak të borxhit të grumbulluar dhe skadimit të afatit të Kontratës për furnizim REZERVË me energji elektrike nga ana e EPS-it, për disa xhami të komunës sonë kanë qenë e paraparë shkyçja nga rrjeti elektrik nga ana e EPS-it.
Urdhëri për shkyçjen e 11 xhamive nga rrjeti elektrik, duke rrezikuar kështu funksionimin normal të këtyre xhamive, ka shtyrë Komunën e Preshevës të marrë Vendim mbi shlyerjen e këtyre obligimeve të xhamive në fjalë, duke bërë parandalimin e bllokimit të funksionimit dhe frekuentimit normal të këtyre xhamive nga ana e besimtarëve.
Situata e tillë e krijuar është pasojë e mos organizimit të mirëfilltë dhe profesional të Këshillave të Bashkësive Islame që veprojnë në Komunën tonë, por shpresojmë që nëpërmjet unifikimit të tyre, do të ketë një nivel më të lartë të organizimit dhe problemet e tilla të mos paraqiten më.
Tashmë që borxhet ndaj EPS-it janë shlyer në total, Komuna e Preshevës apelon Këshillat e xhamive të Komunës sonë që të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e obligimeve të tyre, si në lidhjen e kontratave, poashtu dhe të bëjnë pagesën e energjisë elektrike me kohë, në mënyrë që të mos rrezikohet puna dhe funksionimi i tyre i rregullt.
Përndryshe, pas zgjidhjes së problemit të krijuar me këtë rast, kjo ka qenë ndërhyrja e parë dhe e fundit, që Komuna e Preshevës të shlyejë obligimet e xhamive ndaj EPS-it, pasi tashmë duhet të përkujdesen Këshillat e xhamive për përmbushjen e këtyre obligimeve.
Shuma e përgjithshme e borxhit të grumbulluar ka qenë rreth 226.000 dinarë, e cila për shkak të urgjencës së nevojës së pagesës së këtij borxhi, është paguar nga mjetet REZERVË të Buxhetit të Komunës së Preshevës.