Komandanti dhe tre policë të Kosovës ikin në Serbi
Katër eprorë të Policisë së Kosovës nga veriu i Mitrovicës, ndodhen në arrati pas aksionit të Policisë së Kosovës, i cili u zhvillua dy javë më parë.
Në mesin e të arratisurve është edhe komandanti i Stacionit policor për mbikëqyrje të kufirit në Leposaviq, raporton KTV.
Ata dyshohet se janë duke u fshehur në Serbi, pas dyshimeve se janë përfshirë në krim të organizuar, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokurori Sylë Hoxha, i cili është duke udhëhequr hetimet në këtë rast, thotë se Prokuroria do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i arrestuar edhe këta zyrtarë.
Ndërsa, Inspektorati Policor tashmë ka kërkuar suspendimin e këtyre zyrtarëve policorë, derisa në vazhdimësi është në kërkim të tyre.
Por, të pakapshëm mbeten edhe disa qytetarë, të cilët Policia, dy javë më parë dështoi t’i arrestojë.
Prokuroria Speciale pritet t’i zgjerojë hetimet edhe për zyrtarë të tjerë, të cilët gjithashtu dyshohet se ishin pjesë e grupit kriminal, i cili funksiononte në veri të vendit që nga viti 2011.
E, në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria Speciale do ta hetojë edhe plagosjen e pjesëtarit të policisë ditën kur po kryhej ky aksion.
Hoxha ka thënë se ky rast do të hetohet si tentim-vrasje.
Dy javë më parë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë Speciale, ndërmorën një aksion të gjerë në veri ku arrestuan 19 zyrtarë policorë, në mesin e tyre edhe komandantin e Stacionit policor në Zubin Potok, me dyshimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “marrje ryshfeti” dhe “kontrabandim me mallra si dhe tregti të ndaluar”.
Gjatë këtij aksioni, një polic u plagos dhe disa të tjerë u lënduan pas rezistencës së serbëve lokalë, që përmes barrikadave tentuan të pengonin aksionin.