QSA gjatë muajit të Ramazanit ndihmoi 1800 familje në nevojë në Luginë të Preshevës, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit me rastin e muajit të Ramazanit, gjatë gjithë këtij muaji të Shenjtë, bëri shpërndarjen e 1800 pakove ushqimore në kuadër të projekteve “Shporta e Ramazanit” dhe “Sofra e Bajramit”.
Qëllimi i QSA-së ishte furnizimi i familjeve në nevojë në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni të Veriut si dhe në Kosovë me artikujt elementarë ushqimorë për periudhën e Ramazanit, duke zbutur kështu situatën humanitare të familjeve përfituese dhe duke ua lehtësuar kryerjen e agjërimit të Ramazanit.
“Projekti u realizua në mbështetje të donatorëve të ndryshëm nga vende të ndryshme të mbarë Europës. Vlen të përmendet fakti që ka patur edhe raste të qytetarëve, të cilët janë paraqitur në zyrat e QSA-së në Preshevë dhe kanë financuar një numër të caktuar të pakove ushqimore, apo të kenë kërkuar lista emërore të familjeve, të cilat ata vetë i kanë mbështetur gjatë Ramazanit”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i QSA-së Mustafë Kamberi.
Përmes projektit kanë përfituar familjet me gjendje më të vështirë socio-ekonomike.