Banja e Siarinës në Medvegjë, e rrallë me 18 lloje të ujërave shëruese (Foto)
Banja e Siarinës është vendbanim në komunën e Medvegjës, në kryqëzimin e rrugëve Prishtinë– Leskoc pranë shtretërve të lumenjëve të Banjës dhe lumit Jabllanica, rrëzë maleve të Gollakut, 70 km larg Prishtinës. Banja e Siarinës kufizohet ne veri e lindje me Sijarinen, nëjug me Svircën dhe ne perëndim me Borocin.
Rreth 70 kilometra nga Prishtina e fshehur mes maleve të Gollakut, një banjë shëruese ka bërë që të kthehet vëmendja drejt kësaj qyteze. E futur thellë në ngushticë, e rrethuar me vegjetacion të bujshëm, me klimë të përshtatshme, Banja e Siarinës ka 18 burime të ujit mineral me përbërje të ndryshme fiziko-kimike dhe temperaturë nga 32-72 gradë celsius, shkruan Meteoballkan.
Atraksion dhe bukuri të rrallë natyrore paraqesin gejzerët me ujë të nxehtë, të veçantë në Evropë, shtylla e ujit të të cilit arrinë lartësinë 8m, pranë të cilit ndodhet kompleksi i ndërtuar i pishinave dhe fontanave. Shërimi i sëmundjeve bëhet në Entin e specializuar për rehabilitim ”Banja e Siarinës”, pranë hotelit,”Gejzer”. Kjo Banjë është e vetmja që posedon gejzerin natyror pas Zelandës së Re.
Kur shikon peizazhin e bukur të Banjës së Siarinës të duket sikur piktorët nga e gjithë bota kanë shkrirë talentin e tyre mbi të. Ka mjaftuar një shpërthim uji shumë vite më parë që ky vend të shndërrohet në burim shërimi për shumë sëmundje.
Banja e Siarinës ashtu siç ua shtoi begatinë banorëve shqiptarë të kësaj ane njëherësh ajo u bë edhe synim i pushtuesve serbë të cilët lakmonin natyrën e bukur dhe begatitë tjera që mbante në vete toka e këtij vendi. Mirëpo, ashtu siç u bo një ndër shkaqet e largimit të shqiptarëve nga ky vend, Banja e Siarinës ia del që së paku gjatë verës të rikthej aty pjesën më të madhe të tyre.