Lajme

PDK duhet të shkoj në shpi, në burg…dhe shumë prej tyre në “RRS”

SHKRUAN: KIMETE BERISHA

1. Nuk jemi n’krizë për dashni, shyqyr Zotit, prandaj askush nuk po ua kërkon patriotizmin, lëni ju Çakorrin e Veriun se nuk varen prej juve, veç dikush prej juve le të na premton se nëse ua japim votat, ju do t’i lironi vezët për shembull.

Kjo neve na intereson sot, jeta e përditshme, dashuria ndaj jetës, vetes, normal krahas edhe dashurisë ndaj vendit, dashuri kjo që nënkuptohet.

Një ‘gajbe’ vezë në Kosovë sot kushton më shtrenjtë se pula. Na e shkatërruat jetën. S’ka gjë që nuk u shtrenjtu, jeta në Kosovë sot është e shtrenjtë si në Hong Kong, veç për m’u duk patriot, Ramush milioneri.
Aq i vogël ndjehet ai në të vërtetë.

2. Ju , siç dihet (me ndihmën e NATO-s) e fituat luftën me armikun serb, por qe 20-vjet pas luftës nuk e fituat luftën me mushkonjat.

Prandaj, veç budallenjtë nuk e kuptojnë se armiku sa më i vogël e më i padukshëm aq më i rrezikshëm është. Si atomi për të cilin kemi mësuar por që s’e kemi pa kurrë.
S’di a ju kam treguar, paska ndodhur një herë në një vakt që buburrecat e kanë shkatërruar një civilizim.
Prandaj, të vegjlit duhet të bëhen bashkë se ndryshe s’kanë shpëtim.

Premtoni ju se gjatë mandatit të ardhshēm do ta fitoni luftën me mushkonjat, tash ushtrinë e keni, ushtri që ekziston veç me hëngër përrshesh me mish dhe milionat i merr muaj për muaj veç në tendera për ushqim.
Sa rrin ushtria badihava e luan me letra të dehura, mund t’i shfrytëzoni ushtarët ta fitojnë betejën me insekte (ashtu siç po i shfrytëzoni policinë veç dhe ekskluzivisht për të gjobitur qytetarët).

Kosova është vend i ndyrë, me mushkonja, miza, minj, bërllog dhe me lëvore të farave të zeza, një autostradë shtrohet me lëvore të farave të zeza të shqiptarëve që i hanë e i gjuajnë direkt (ama direkt, pingul) në tokë.

Një ‘mushkonjë’ e Nismës, Sherifi i krejt mushkonjave e kish pickuar sot LDK-në. Ka treguar Bajrami. Por, Bajram Gecaj nuk ka ditur të tregoj edhe se mushkonjat meshkuj nuk thithin gjak. Veç mushkonja femër, Sherifja ta kan’ nanën, ta thith gjakun pa e hetuar.

3. Ne shqiptarët kudo që jemi kemi probleme banale, probleme të higjienës elementare.
Kryetari i Shqipërisë vishet me pantallona komando sa herë vjen në Kosovë (thuajse vjen me gatu për ushtrinë e sigurisht ka hetu naj pasuri me grabit se një vurmak e ka që rrin këtu kaq shpesh), Shqipëria, pret të anëtarësohet në BE por shteti shqiptar nuk e ka një helikopter m’i luftu ‘Sherifet’ por kanë helikoptera m’i shetit drogën e femrat psikopate që ‘bukurinë’ fizike e shesin për një çantë prada.

Nuk pushohet në bregdetin shqiptar prej ‘Sherifeve’, veç fukarallëku i shkretë e jo patriotizmi, se boll më ‘unë duaj ty e ti duaj veten’ ka ardh njëfarë kohe kur patriot shqiptar i ka hije me qenë veç naj shqiptari që s’di me folë shqip.
I keni pa joshqiptarët që provojnë të flasin shqip sa duken simpatik, ashtu njësoj po ndodh me atdhedashurinë, tash i ka hije me dasht vendin veç atij që jeton jashtë vendit.
Sepse, me dasht prej s’ngati atdheun, është dashuri që nënkuptohet dhe kur shprehet, shprehet veç m’i ja lëshu mjekrën najkuj.

4. Në Shqipëri as nuk të lejojnë m’u kënaq as nuk guxon mos me qenë i kënaqur se t’i thejnë hundtë. Kokëdhima tregon më së miri çka bën shqiptari për pare, më së paku e jep jetën.

Para dhjetë viteve isha me prindër në Durrës dhe i zoti i apartamentii qëlloi një tip me depresion klinik. Kur erdh dita të kthehemi në Kosovë, t’lumtë ne për Zotin, pronari ‘Murrki’ a s’di qysh e kish pas emrin, kish qenë para hyrjes së banesës duke hëngër bostan me bukë (bukë me rrush kam parë që hanin pleqtë ktyneherë, ama bukë me bostan këtë s’e kisha parë), baba im i tha me mirësjellje ‘ditën e mirë’, ai nuk na e ktheu, thjesht na injoroi pa asnjë arsye.

Ata, shumë prej tyre janë njerëz të këqij pa asnjë arsye. Çka do të ndodhte nëse mo’ Zot i motivon të bëhen të këqij.

5. Unë i jap vetes të drejt të shkruaj çka t’ma do zemra sepse nuk bëj hile, që jam shumë e sinqert më së miri dëshmon fakti se s’kam bërë hile as në lojën FarmVille, e kam përfunduar lojën deri në fund, me seriozitet, derisa shokët e mi të lojës (se tjerë shokë s’kam) kërkonin mënyra me haku lojën që me përfundu shpejt.

Prandaj i jap vetes të drejtë të them se Albin Kurti (që kam shumëndëshirë ta shoh se si e drejton vendin ai) nga ‘ndjenja e vetmisë’, po i pranon në VV edhe disa figura, që i ka konsumuar politika, ‘pseudo-shkenca’, e ‘pseudo-arti’ që më së paku një prej tyre dyshohet se ia ka dërguar Ramushi si ‘donikë’.

Albin Kurti s’duhet ta ketë idenë e ‘Republikës së superiorëve’ por idenë e Republikës së njerëzve të thjesht dhe normal, se ata, të thjeshtit, janë më të mirët.

E keni parë këshilltarin filozof të Kadri Veselit qysh e propagandon ‘Republikën’ e Platonit si model superior, shtet ky që përjashton dhe dëbon poetët dhe artistët nga Republika.

Filozofi as që është i vetëdijshëm për dëbimin e poetëve nga Republika e Platonit, për seksizmin dhe për racizmin e Platonit dhe Republikës së tij pa poet dhe pa femra që udhëheqin.
Ishalla s’e ka lexu librin veç ja ka ni zanin, se nëse e ka lexu Platonin dhe është pajtu m’i përzënë poetët nga Republika e Kosovës e nga planprogrami shkollor m’u largu poezia, mos vet për Formulën e Pagëzimit. ‘Simpatisë’ ia kishim bë një vend, po ku me çu Sabri Hamitin (nëse nuk dorëhiqet nga poezia si nga LDK, se edhe me poezi mundesh m’u idhnu).

6. E Ramushi është parajsë për tradhtarët.
Duhet guxim i madh me pranu me bashkëpunu me bandën e Shpendit (që e nisi karrierën politike me një banesë t’babës në ‘vesheraj’ e përfundoi në lagjen luksoze të Prishtinës), sepse ata janë tradhtarë biblik. Ata çka s’bëjnë kabull.

Të kishin jetu në kohën e Krishtit, ish shkru një Bibël apostafat për ta, e te ne shqiptarët tradhtia u bë komsum i përditshëm, të tradhton burri i botës pa lëviz çerpik dhe jeta vazhdon.
Ai që tradhton një herë, tradhton gjithmonë.

Grupi i Shpend Ahmetit tash kanë bë shumë pare, prandaj janë shumë më pak të rrezikshëm (se u dhimbsen malli), por nuk kanë bë pare më shumë se Ramushi, prandaj roli që kanë marrë PSD është ta ‘njohin Ramushin’ për së afërmi, ashtu siç nuk e njeh kush nga brenda, gjë që as në ëndërr s’mund ta shohin sepse Ramushi edhe kur fle, e lë roje dikë t’familjes me ndejt zgjuar për të.

Përparësia e tij e madhe, pas arrogancës që e shpeh ‘dhimbshëm’ me vaj n’buzë e gurin e drunin e shtin n’gjynah, është se nuk i beson askujt (veç familjes) dhe tjetra përpraësi e Ramushit është se në esencë ai mendon se nuk i nevojitet askush (veç familjes), veç hajt mbasi duhet m’u duk kallaballëk, ‘bashkëpunon’.

7. Kallaballëk dhe të bashkuar pa qenë hiç të bashkuar po duket edhe LDK.
Pasardhësja (me mentalitet dhe karakter) më e denjë e Isa Mustafës (Vjosa Osmani) po hesht, ashtu siç heshtin njerëzit kur janë të kënaqur, të lumtur dhe që kanë interes.

Asnjë njeri i sinqert, përveç atij që ka hip në kalë, nuk mund të hesht sot.
LDK e vetme (pa VV) nuk jep shpresë sepse nuk ka asgjë të re në LDK.

Shqiptarët e din se LDK (bashkë me PDK) është bashkëautore e këtij realiteti që e kemi sot si për mirë si për keq, prandaj kur Isa Mustafa thotë se bën koalicion veç me opozitën, ai harron se LDK nuk di çka është opozita.
Duhet ta ketë fjalën për VV.

Ajo që mua më ra më shumë në sy është ‘karma’, qysh hakmerret Zoti ndaj kryelartëve, e patë qysh ndodhi, Sabri Hamiti u largua nga LDK e nuk u bë interesant.

Kjo ndodh kur largohet njeriu mbas vakti, largohet pasi nuk i ka mbetur asnjë alternativë tjetër, përveç largimit.

LDK duhet të ajroset, të mbajë dietë, t’i lyej muret me të bardha, të freskohet dhe dikush prej tyre t’i kthehet librit sa për imazh.
Përndryshe, me hy në selinë qëndrore të LDK-së veç xhezve e gjygyma sheh, veç thashetheme e fjalë të kota dëgjon dhe nëse qëllon n’vakt t’drekës duhet m’i marrë me vete kokrrat e tugut për autobus.

LDK nuk ka arsye të sillet si mendjemadhe.

8. Kadri Veselit që del kush e ia ngrin buzëqeshjen në fytyrë, Zoti atij krejt të mirat e kësaj bote.

Kadri Veseli e ka në dorë krejt administratën (u këputën tuj punësu e tuj vjedh sa po munden kurrë pa u ndal), i ka kerret e shtetit, i ka njerëzit e vet në sistemi e ndrejtësisë, ka shumë milicië, shumë spiunë të AKI-së, disa organizata studentore, shumë prokurorë e gjykatës, burgjet, biznesin, e ka shok Halil Kastratin.

Rrëzojeni nëse mundeni.

Ata kanë pare, e parja për një moment e kthen ujin përpjetë, që do të thotë e kthen realitetin.
Duhet të bëheni bashkë për ta ndryshuar ‘karmën’ e tij.

E pres hasret ditën kur PDK të largohet nga pushteti. Ajo ditë do të jetë dita e parë e çlirimit të Kosovës.

Kadri Veseli është njeri i rrezikshëm, ai han kingj me whisky, deri aty ka degraduar ky 😂.

Qengji nuk hahet me whisky (whisky pihet prej mërzie e melankolie e jo për mish qengji n’hell) ish dasht me ja tërheq vërejtjen hoxha Halil Kastrati (që shoqnohet ngushtë me konsumues të rakisë), se qengji është simbol i sakrificës fetare, kur s’je i zoti me vra veten për Zotin, e vret një qengj edhe barazohesh me Zotin.

9. Ne kemi shumë probleme. Edhe me varreza ku kullosin lopët. Edhe me memoriale të paverifikuara, të vendosura vend e pa vend.

Gjatë fushatës le të del të na e sqarojë dikush pse ne shqiptarët e Kosovës ia mbajmë gajlen memorialit turk në Tiranë e nuk na pengon memoriali i Serbisë në Urën e Ibrit në të cilin decidivisht shkruan për ‘terroristët e UÇK-së’ që ‘vranë serbë’ dhe renditen serbët ‘e vrarë’ me emra e mbiemra.
Çdo ditë kalojmë andej, e shohim memoralin, por vazhdojmë ecim, s’na pengon.

Dhe, s’del kush që nervozohet me këtë memorial antishqiptar por me memorialin turk në Tiranë.

Disa kujtojnë se me urrejt Turqinë e sotme është njësoj si me urrejt Perandorinë Osmane.
Por s’është njësoj se edhe urrejtja vjetërohet.
Jo në ne, por edhe në vet emrin e Shën Terezës perandoria osmane la shenja, emri Gonxhe është emër turk që do të thotë ‘Burbuqe’ por ajo nuk e ndryshoi emrin as mjiemrin turk se nuk kishte komplekse, nuk kishte urrejtje.

Sipas meje, më i rrezikshëm për Shqipërinë është Ilir Meta sesa memoriali turk, se bile memoriali nuk lyp me hëngër, kurse ky president milioner por cullak, e fiku Shqipërinē.
S’e kuptoj pse ky përnime nuk i del me brekë të kuqe topit të Mic Sokolit përpara.

P.S. Secili me secilin, VV me LDK, pse jo edhe me AAK.
Me të gjithë bën diçka, përveç me PDK-në.

PDK-në e ka lodhur pushteti, krimi dhe korrupcioni. PDK nuk e shpëtojnë as shokët hoxhallarë që po i shfrytëzon për ‘reklamë’ dhe për ‘faljen e gjynaheve’. Hoxha nuk fal gjynahe se njeri është edhe vet.
Asgjë nuk e shpëton PDK përveç pushimi.
PDK duhet të shkoj në shpi, në burg…dhe shumë prej tyre të shkojnë në rrs.

Related Articles

Back to top button