Prishtinë: Përurohet libri monografik kushtuar mjeshtrit të skulpturës Hevzi Nuhiut nga Presheva
Të mërkurën e 31 korrikut, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, u bë përurimi i librit monografik “Hevzi Nuhiut”, të autorit italian Giulio Palangës, kushtuar mjeshtrit të skulpturës me renome botërore nga Presheva, i cili qe 30 vjet jeton dhe vepron në Kalabri të Italisë.
Përurimi i këtij libri monografik u organizua nga Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës me drejtuesin e saj Prof. dr. Shyqri Galica dhe Shoqata e Gazetarëve “Etika” me kryetar publicistin Nexhmedin Saqipi nga Lugina e Preshevës, në të cilën morën pjesë shumë shkrimtarë dhe adhurues të artit nga Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora Arif Osmani, autor i Alfabetit të mileniumit të ri nga Tërnoci.
Përurimin e konsideroi të hapur moderatorja Ardita Behluli, gazetare dhe drejtoreshë e Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, e cila pasi i përshëndeti të pranishmit fjalën ia dha kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës Prof. dr. Shyqri Galica, pastaj për rolin e kësaj monografie foli prof. dr. Ilir Muharremi e Dom Lush Gjergji, kryetar i Dioqezës katolike Prishtinë-Prizren.
Po e japim të plotë fjalën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës Prof. dr. Shyqri Galica, të titulluar:
Një frymëzim i thellë atdhetar dhe artistik
Fjala e kryetarit të LSHK-së, Prof. dr. Shyqri Galica, në përurimin e monografisë “Hevzi Nuhiu” të Gjulio Palangjes, Prishtinë, 31.07.2019.
Po takohemi me artistin e mirënjohur në qarqe më të gjera sesa këto të mjedisit tonë, me skulptorin që ka bërë emër gjithandej, por në mjediset e Kalabrisë pa dyshim përditë është para tyre.
Eksponatet e tij artistike kryesisht prej druri, guri e metali, skulpturat që i ka bërë pothuajse të flasin nga çdo kënd, komunikojnë me shumë dashuri me secilin udhëtar të rastit, prandaj portreti i tij artistik pa dyshim është i veçantë dhe gjithsesi i rrallë jo vetëm në hapësirat e këtij mjedisi, por edhe më tutje në vende të artit e të kulturës të Evropës.
Fjala është për mjeshtrin e shquar, Hevzi Nuhiun, artistin tonë që jeton e vepron në Kalabri të Italisë, në Shën-Mitër, në një mjedis që ndoshta aktualisht e mban gjallë ky njeri me dashurinë e tij të madhe për kombin e për artin, për njerëzit tanë që qenë detyruar të braktisnin Arbërinë para shumë shekujve dhe tashmë pothuajse gjithçka po merrte fund. Duke qenë në ato mjedise, fshatra e vendbanime arbëreshe, mbase Shën-Mitri ende ndihet më shqiptar duke falënderuar punës së palodhshme dhe talentit të Nuhiut për të sheshuar figurat kombëtare arbëreshe dhe të tjera të këndej detit, që ata njerëz qoftë dhe kalimthi të kujtojnë origjinën e tyre.
Veprat e tij të larmishme, tematika nga ajo atdhetare deri tek ato intime, këtë artist e bëjnë të pranueshëm nga të gjitha strukturat. Imazhet që sjellin ato, të krijojnë përshtypjet e një frymëzimi të thellë atdhetar, të një bote refleksive që provokojnë artdashësit, kurse arbëreshët i kthejnë qoftë dhe rastësisht në histori, në të kaluarën e largët dhe të afërt të të parëve të tyre; nga Skënderbeu, Nëna Tereze e deri te Adem Jashari, te Lufta e shenjtë e UÇK-së si vazhdimësi e përpjekjeve shekullore për ta bërë Shqipërinë – Shqipëri!
Monografia “Hevzi Nuhiu” e autorit Guilio Palange është vetëm si motiv për t’u takuar me këtë skulptor, sepse vargu i veprave të tij është shumë i gjatë, siç është i gjatë dhe numri i ekspozitave personale e kolektive, madje edhe me artistin tonë të madh Ibrahim Kodra, me të cilin pati fatin mjeshtri Nuhiu të bashkëpunojë dhe të ekspozojë, si dhe me disa artistë të tjerë të njohur të nivelit ndërkombëtarë.
Puna e artistit Hevzi Nuhiu në kontakt me emra të shquar të artit, veprën e tij e ka bërë më të pasur dhe specifike, vepra që të afrojnë me realitetin artistikisht dhe kërkojnë qasje ndonjëherë më të përafërt dhe më profesionale, mirëpo gjithmonë me motive që lidhen me jetën, me historinë dhe aktualitetin, duke theksuar identitetin kombëtar si synim të përhershëm të këtij mjeshtri të artit.
Mbase ajo që është më e veçantë e këtij autori ka të bëjë me ekspozimin e punimeve të tij edhe në mjedise publike, siç theksuam më lart, të cilat krijojnë atmosferë pa u ndalur te ekspozitat si veprimtari e rëndomtë e artit. Ky fakt tregon vlerën e këtyre punimeve, të cilat shquhen si eksponate të veçanta të një dore mjeshtërore që provokon në vazhdimësi me nivelin dhe specifikat që ka krijuar në artin e tij dhe me pranimin e tyre si krijime përherë të ekspozuara në vende të caktuara.
Dëshmi e punës së tij të madhe janë më shumë se njëqind ekspozita brenda e jashtë Italisë, si dhe një varg çmimesh e mirënjohjesh të niveleve të ndryshme.
Mjeshtrit tonë, artistit Hevzi Nuhiu, i urojmë shëndet e suksese edhe më të mëdha në veprimtarinë e tij artistike!