Shëndetësi

Hante vetëm patate të skuqura, i ndodh e tmerrshmja adoleshentit

Një 17 vjeçar pësoi humbje të pariparueshme të shikimit pasi hëngri vetëm patate të skuqura dhe patatina. Okulistët në Bristol u kujdesën për të riun pasi shikimi i tij u përkeqësua deri në verbëri. Që në shkollën fillore, djali kishte ngrënë vetëm patate të skuqura, bukë të bardhë dhe një fetë sallam ose proshutë. Testet zbuluan se ai kishte mangësi të mëdha vitaminash dhe dëmtime nga kequshqyerja.

Adoleshenti, i cili nuk u identifikua, shkoi tek mjeku në moshën 14-vjeçare sepse ndihej i lodhur dhe i sëmurë. Në atë kohë ai u diagnostikua me mungesë të vitaminës B12, por nuk e ndoqi trajtimin dhe nuk e përmirësoi dietën e ushqimit. Tre vite më vonë u dërgua në spital për shkak të humbjes së shikimit. Okulisti u shpreh se arsyeja e verbërisë ishte dieta me patate të skuqura dhe patatina çdo ditë.

Ai nuk ishte mbi ose nënpeshë, por ishte kequshqyer rëndë. “Pacienti kishte humbur mineralet nga kocka e tij, gjë që ishte vërtet shokuese për një djalë të moshës së tij,”-tha okulisti Denize Atan. Për sa i përket humbjes së shikimit, ai plotësonte kriteret për t’u regjistruar si i verbër.

“Ai nuk mund t’i japë makinës, do e ketë të vështirë të lexojë, të shikojë TV apo të dallojë fytyrat,”-shtoi okulisti.

Related Articles

Back to top button