Lajme

Në Bujanoc, përurohet libri me 3000 aforizma i autorit Halim Hasani

Në vikendin e fundit të shtatorit, të këtij viti, në Pallatin e Kulturës, në Bujanoc, u përurua libri “3000 Aforizma”, i autorit nga Lugina e Preshevës, Halim Hasani, legjenda e aforizmit shqiptar.

Përurimin e librit me aforizma e organizoi Shoqata e Shkrimtarëve ”Feniks”, nga Presheva, në të cilin eveniment të lartë kulturor, merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve kulturore dhe arsimore si dhe adhurues të shumë të fjalës së shkruar artistike nga Bujanoci, Presheva dhe Gjilani.

Për rolin dhe rëndësinë e librit me aforizma të autorit Halim Hasani folën: Hysen Këqiku, redaktor dhe Sevdail Hyseni, recensent, si dhe u lexuan pjesë të librit nga talentet e reja të Akademisë “Stoa”.

Kopertina e librit

Kritiku letrar Hysen Këqiku, redaktor i librit dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Kurora”, nga Gjilani, gjatë diskutimit të tij për librin më të ri të Halim Hasanit me “3000 Aforizma”, tha mes tjerash, se këto aforizma, janë vazhdimësi e një pune shumëvjeçare të shkrimit dhe botimit të aforizmit shqiptar, të cilat për vlerën që kanë, është një sukses i madh, për t’u admiruar.

“Halim Hasani ka shkruar edhe vepra të tjera historike dhe monografike, por hulumtimi i tij mendor, logjik dhe fisnik është gjetja, një nga një, e aforizmave, punë kjo e cila tregon seriozitetin, vullnetin dhe durimin e pashoq të tij”, u shpreh Këqiku.

Mjeshtri i lashtësisë historike Hipokrati, shton më tej, redaktori i librit Hysen Këqiku, me përkushtimin e tij si krijues dhe përdorues i aforizmave, ka mbetur i nderuar dhe i respektuar edhe në betimin e mjekëve, i cili quhet “Betimi i Hipokratit”. Ky mjek ka qenë aq i dhënë pas aforizmave sa që për pacientët e ka përdor aforizmin për të dhënë diagnoza mjekësore.

Si për Hipokratin ashtu edhe për Hasanin mund të flasim me të njëjtën konsideratë të shprehjeve sepse siç ka qenë përditshmëri për të parin diagnozat mjekësore, ashtu edhe për të dytin është njësoj mjet i përditshëm, i cili qorton, kritikon dhe shëron dukuritë e ndryshme kudo që shfaqen ato, duke vënë në vend të duhur thumbin (pa helm) aforistik.

Ndërkaq, recensenti i librit, Sevdail Hyseni, publicist dhe drejtues i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Bujanoci, tha se kritika letrare dhe lexuesit i kanë mirëpritur mirë botimet e librave me aforizma të Halim Hasanit, dhjetë sish, të cilat arritën të grumbullohen brenda kopertonave të një libri me 3000 aforizma e rreth 600 faqe.

Më shumë se 25 vjet rresht, që nga viti 1993, Halim Hasani, arriti të publikoj dhjetë libra me aforizma, duke shkrirë nëpër to mendimet e larta filozofike, të inspiruara nga përvoja e tij jetësore.

“Halim Hasani, me këto botime të aforizmit shqiptar, mbetet njëri nga krijuesit më të mëdhenj të këtij zhanri letrar, që ka pasur ndonjëherë letërsia shqipe, deri sa të mos dalë ndonjë tjetër aforist t’ia thyej rekordin e epiteteve meritore si: maestro, mjeshtër dhe legjenda e aforizmit shqiptar”, tha me krenari recensenti i librit Sevdail Hyseni.

Vlen të ceket se libri i parë me aforizma i Halim Hasnit, mban titullin “Aforizma të kohës”, pastaj libri tjetër “200 Aforizma”, për të vazhduar me “Aforizma bashkëkohorë”, “Aforizma”, “Fjalë nëpër kohë”, “Fjali pa mahi”, “Inxhi nëpër fjali”, “Fjali të thëna m shije”, “Mozaik aforizmash” dhe “600 Aforizma”.

Halim Hasani, vazhdon ta kultivoj dhe afirmoj Aforizmin, këtë gjini deficitare letrare e cila e ka burimin te urtit popullore, të sajuara nëpër shekuj, duke u munduar që në aforizmat e tij, të nxjerr një mësim, një porosi, një këshillë të urtë, si dhe të jap një mesazh të qartë me vlera të mëdha artistike.

Në fund, autori i librit Halim Hasani, përshëndeti të pranishmit, duke falënderuar redaktorin dhe recensentin, si dhe gjithë ata që e mbështetën dhe e ndihmuan për të botuar këtë libër, që sipas tij, aforizmi nuk shkruhet lehtë pa inspirim.

Pjesë e dytë e këtij përurimi u pasurua edhe me një ora letrare, në të cilën i lexuan punimet e tyre i krijuesit anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”: Hysen Këqiku, Nehat Ramizi, Avni Shaqiri, Marigona Fejzullahu, Herolinda Salihu dhe Halim Hasani.

Related Articles

Back to top button