PDSH nuk merr pjesë më në seanca të Kuvendit komunal të Preshevës
K U M T E S Ë
Kryesia dhe Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare, në mbledhjen e mbajtur, më 03.10.2019 shqyrtoi situatën e krijuar pas fjalimit të Kryetarit të Komunës, në seancën e V-të të Kuvendit komunal të Komunës së Preshevës, pas diskutimeve të pjesëmarrësve dhe arsyetimeve të mëposhtme solli:
M O R A T O R I U M
Për mospjesëmarrjen në punën e seancave të Kuvendit komunal nga ana e Grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike Shqiptare, deri në momentin kur PDSH vlerëson se janë krijuar kushte për pjesëmarrje.
A r s y e t i m
– sjellja absolute vullgare e Kryetarit të Komunës së Preshevës ndaj këshilltarëve të opozitës,
– mospërgjegjësia e tij ndaj obligimeve ligjore që ka ndaj institucioneve të pushtetit lokal,
– përdorimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit, fyerjes, shantazhimit e linçimit ndaj autoriteteve të subjekteve politike opozitare si dhe nxitja e konflikteve ndërmjet këshilltarëve të Kuvendit komunal nga ana e Kryetarit të Komunës,
– ndërtimi i atmosferës së kontaminuar politike në Sallën e Kuvendit komunal nga ana e Kryetarit të Komunës,
– paaftësia e menaxhimit të seancave nga ana e Kryetarit të Kuvendit komunal,
– përdorimi i autoriteteve të sigurimit të objektit të Komunës në rritjen e intensitetit të konfliktit me këshilltarët e opozitës, madje edhe ftuarja e organeve policore për intervenim me qëllim të largimit të këshilltarëve opozitar nga Seanca.
Kërkesat e PDSH-së për kthim në punimet e seancave të Kuvendit komunal janë:
1. Të sigurohen kushte dhe ligjshmëri në punën e seancave te Kuvendit Komunal në përputhjue me Rregulloren, Statutin dhe Ligjin;
2. Të respektohet shprehja e fjalës së lirë nga ana këshilltarëve të opozitës;
3. Të dorëzoj mandatin këshilltari i zgjedhur nga lista e këshilltarëve të PDSH-së;
4. Kryetari i Kuvendit komunal të distancohet nga veprimet e Kryetarit të Komunës;
Gjatë kohëzgjatjes së këtij Moratoriumi, Partia Demokratike Shqiptare do të veproj edhe më fuqishëm për kohë të caktuar nga pozicioni i subjektit politik jashtë institucionit të Kuvendit Komunal, duke nxjerrë në pah të gjitha parregullsitë e organeve të pushtetit aktual të dështuar lokal në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij.
PDSH, qëndrimet dhe vlerësimet e saja lidhur me “funksionimin” e këtij pushteti lokal do t’i paraqes në konferenca për shtyp, emisione televizive dhe bashkëbisedimeve të drejtëpërdrejta me elektoratin e saj, si dhe qytetarët e komunës së Preshevës.
Në Preshevë, më 03.10.2019
Qendra për komunikim me media – PDSH