Lajme

Franca kërkon punëtorë

Franca për herë të parë do të ndërmarrë një nismë politike për të ftuar emigrantët e huaj të plotësojnë vendet bosh të punës në sektorë si ndërtimi, hoteleria, informatika dhe inxhinieria. Qeveria pritet nga ana tjetër të ashpërsojë masat për azilkërkuesit dhe aksesin e tyre në shëndetësi.

Franca synon që nga viti i ardhshëm të vendosë kuota për emigrantët që kërkojnë të punojnë në vend.

Plani i qeverisë franceze është të identifikojë sektorët ekonomikë ku mungojnë kandidatët e kualifikuar, dhe të lehtësojë procedurat e marrjes së vizave të punës për profesionistët.

“Duam që në Francë të marrim forca pune vetëm atje ku nevojitet. Kjo është qasje e re që zbatohet edhe në Kanada dhe Australi,” deklaron Ministrja e Punës, Myriel Peniko.

Vitin e kaluar, në Francë u lëshuan rreth 33 mijë viza pune.

Disa nga sektorët me staf të pamjaftueshëm janë ndërtimi, hoteleria dhe restorantet, ku pagesa për qytetarët vendës konsiderohet e ulët, por edhe fusha si tregtia, informatika dhe inxhinieria.

Ndërkaq pritet të ashpërsohen politikat për azilantët dhe ata që shfrytëzojnë sistemin shëndetësor gjatë qëndrimit të shkurtër në vend.

Me udhëzim të presidentit Emanuel Makro, qeveria planifikon që azilkërkuesve t’u kufizohet deri në tre muaj aksesi spitalor që ofrohet falas pas aplikimit.

Nisma synon të shmangë rritjen e popullaritetit të ekstremistëve të Marin lë Pen, e cila e kundërshton numrin e pandalshëm të azilkërkuesve në vend, që një vit më parë u rrit me 122 mijë apo 22 për qind.

Në tremujorin e dytë të 2019-ës mes tyre ishin edhe rreth 2 mijë shqiptarë.

Related Articles

Back to top button