Në Bujanoc u përurua libri “Roli dhe Rëndësia e objekteve fetare në Luginë të Preshevës”
Në sallën e vogël të shtëpisë së kulturës në Bujanoc, u përurua libri “Roli dhe rëndësia e objekteve fetare në Luginë të Preshevës”, i autorit Sedat Beqiri.
Ky përurim u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
Të pranishëm ishin dashamirë të librit dhe të kulturës fetare.
Për t’i përshëndetur të pranishmit doli kryetari i KKSH-së z. Ragmi Mustafa, drejtori i shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, z. Jetmir Ismaili dhe në emër të kolektivit të shkollës në të cilën punon edhe autori i librit, i përshëndeti poetesha Jalldëze Kasumi.
Për librin foli redaktori i librit, mr. Florim Mellova si dhe kumtuesit tjerë: Ibrahim Rrustemi dhe Bejtulla Bejtullahu.
Pati edhe deklamime nga libri në fjalë.
Autori i librit, mr. Sedat Beqiri, përzemërsisht i përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrje në përurimin e librit të tij.
Në këtë aktivitet shoqata ndau dy mirënjohje: Aforistit të njohur të Kosovës Lindore, Halim Hasanit (për librin 3000 aforizma) dhe shtëpisë së kulturës në Bujanoc (për bashkëpunim).
Në fund për të pranishmit u shtrua një koktel nga autori i librit…!