Jetmir Ismaili: Në 2019-në Shtëpia e Kulturës në Bujanoc me organizime edhe nga Kosova dhe Shqipëria
Drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili në një intervistë për titulli.com deklaroi se viti 2019 ka qenë i suksesshëm për Shtëpinë e Kulturës pasi sipas tij nuk kanë munguar aktivitetet e ndryshme si shfaqje, filma si nga vendi ashtu edhe nga Kosova dhe Shqipëria.
Ismaili ndër aktivitetet që ka pasur Shtëpia e Kulturës për vitin që po lëmë pas përmend edhe shfaqjet nga Teatri i Gjirokastrës që kanë qenë në salla por edhe në shkollat fillore të komunës së Bujanocit.
“Gjatë vitit 2019 kemi pas aktivitete edhe jashtë atyre tradicionale të cilat janë të ditura për publikun e Bujanocit, sepse ka shumë vite që mbahen dhe janë prezentë çdo vjet. Por ajo që do kasha veçuar ndër aktivitetet e 2019 – së janë si shfaqja nga Presheva “Misteri”. Pastaj kemi edhe shfaqjet e Shoqërive Kulturoro Artistike nga Presheve “Presheva” dhe “Zëri i Luginës” nga Bujanoci. Mos të harrojmë që me rastin e 8 marsit, kemi pas ekspozitë të fëmijëve të tre nacionaliteteve si: shqiptarë, serbë dhe romë. Dhe para pak kohësh kishim edhe shfaqje për të rritur dhe fëmijë dhe të rritur nga Teatri i Gjirokastrës në Bujanoc, ku shfaqjet nuk munguan edhe nëpër shkollat fillore” – thekson Ismaili.
Ai po ashtu edhe paralajmëron aktivitetin e radhës që është Java e Filmit të Kosovës në Bujanoc dhe që fillon nga 20 dhjetori. Filmat janë: “Zana” nga Antoneta Kastrati, “Echo” nga Dren Zherka, “Pranverë e Paharruar në Fshatin e Harruar” nga Kushtrim Bekteshi, “Babai” nga Visar Morina, “Në mes” nga Samir Karahoda, dhe “Shok” nga Jamie Donoughue.
“Kurse së fundmi kemi edhe Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc. Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Nacional Shqiptar dhe Shtëpinë e Kulturës, për vitin e dytë me radhë organizon Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc. Nga 20 deri më 24 dhjetor do të shfaqen katër filma të metrazhit të gjatë dhe dy të metrazhit të shkurtër të realizuar në vitet e fundit në Kosovë”, tha Ismaili.