Lajme

Më shumë se 23 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të varfër

Sipas të dhënave të Bankës Botërore të vitit 2017, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Gani Smakaj, zyrtar i lartë i kontrollit dhe mbikëqyrjes në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2019 për rreth 25 mijë familje me asistencë sociale nga buxheti i shtetit janë shpenzuar rreth 32 milionë euro.

“Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2019, janë aprovuar 2.437 familje të reja në skemën e ndihmës sociale, të cilat i kanë përmbushur kriteret për ndihme sociale, bazuar në legjislacionin e skemës së ndihmës sociale, ndërsa 3.271, familje janë të larguara nga ndihma sociale gjatë vitit 2019, pasi nuk i kanë i përmbushur kriteret e caktuara”, thotë Smakaj.

Skema e ndihmës sociale u ofron ndihmë të përkohshme financiare familjeve, të cilat janë në varfëri dhe janë të përzgjedhura në përputhje me kriteret e parapara në ligj dhe në bazë të mjeteve të ndara për këtë qëllim nga buxheti i Kosovës.

Numrit prej rreth 25 mijë familjeve me asistencë sociale, i shtohen edhe 14 mijë familje me gjendje të rëndë ekonomike, të cilat vazhdimisht ndihmohen nga Kryqi i Kuq i Kosovës.

Antigona Sopjani, koordinatore për mirëqenie sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se janë mijëra familje të cilat jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike në Kosovë e të cilat ndihmohen nga kryqi i Kuq.

Në një nga hulumtimet e bëra kohë më parë nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, ishte theksuar se vlera mujore e asistencës sociale nuk përshtatet me nevojat e familjeve në bazë të madhësisë apo strukturës së tyre.

Niveli i asistencës sociale ka qenë vazhdimisht më i ulët se paga mesatare në Kosovë.

Në vitin 2019 vlera mesatare e asistencës sociale është 75 euro në muaj, përderisa paga mesatare mujore në sektorin publik është 573 euro.

Related Articles

Back to top button