Lajme

Porosia nga Llojani: Pas 20 viteve, Shqiprim Arifi më meritori për hapjen e kufirit

Banorët e fshatit Llojan i janë gëzuar nënshkrimit të Marrëveshjes zyrtare për hapjen e vendkalimit kufitar Llojan – Miratoc. Ata thonë ky moment përbën një lajm të mirë pas 20 e ca viteve mashtrime dhe manipulime nga politikanët që vinin e shkonin duke premtuar dhe mos realizuar. Banorët e vendbanimeve të afërta kufitare tanimë mbi 20 vite kërkojnë hapjen e kësaj pike kufitare, për shkak të lidhjeve të ngushta kufitare. Lidhjet janë sidomos midis dy vendbanimeve Miratoc nga ana e Serbisë që është vetëm dy kilometra larg fshatit Llojan, ndërsa banorët e dy vendeve detyrohen të udhëtojnë shumë kilometra për të vizituar familjet e tyre. Për hapjen e kësaj pike kufitare ishte premtuar gjatë shumë cikleve zgjedhore, por arsyetimet ishin të ndryshme. Por ndryshe nga kryetarët e mëparshëm të Preshevës dhe ministra e politikanë shqiptarë nga Maqedonia, kryetari aktual i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi është nga të vetmit që kishte bërë bastin e madh me karrierën e tij politike, që nëse nuk do të hapej ky vendkalim kufitar, ai do të jepte dorëheqje. Ai sot lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes nuk e ka proklamuar me shumë pompozitet, sikur politikanët këtej kufirit, duke publikuar fotografi e mesazhe për merita.

Shqiprim Arifi ne piken kufitare Miratoc – Llojan, maj 2018
Edhe banorë të Llojanit janë mirënjohës për angazhimin e Shqiprim Arifit. “Pas presionit qytetarë dhe mediatik, meritat më të mëdha në betejën e hapjes së pikës kufitare Llojan – Miratoc i ka Shqiprim Arifi. Kush e ka përcjellë prej kohësh këtë golgotë do të pajtohet me këtë vlerësim.”, nënvizon Iljasa Salihu, një intelektual i njohur nga ky fshat. Përpjekjet e tij ishin tejet aktive me takimet intensive me ambasadorë të vendeve të njohura europerëndimore, kërkesat drejtuar autoriteteve shtetërore të Beogradit, por edhe takimet që kishte zhvilluar në disa raste periudhën e fundit në Shkup me krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut. Pika kufitare Llojan-Miratoc në fillim do të shërbej si vendkalim lokal për nevojat e qytetarëve të atij rajoni, ku fillimisht do të ketë lëvizje të kufizuar, gjatë sezonit veror nga ora 6 deri në orën 22 ndërsa gjatë dimrit nga ora 6 deri në orën 18. Dy ministrat e brendshëm Oliver Spasovski dhe Nebojsha Stefanoviq, si dhe zv/kryeministri Bujar Osmani gjatë nënshkrimit të marrëveshjes thanë se me kohë kjo pikë kufitare do të jetë pikë kufitare ndërkombëtare. “Puna jonë fillon me hapjen e vendkalimit të përbashkët i cili në fillim do të jetë lokal, ndërsa pas plotësimit të projektit do të shndërrohet në vendkalim për qarkullim ndërkombëtar”, u theksua me rastin e firmosjes së marrëveshjes.

Related Articles

Back to top button