Çdo gjë që ngritet padyshim që duhet edhe të zbresë
Shkruan: Albenita Gashi
Fishekzjarret e bukura shumëngjyrshe janë thjeshtë kripëra metalike që përmbajnë materie të ndryshme kimike që shumica nga ne i duam aq shumë, por kemi edhe të atillë që nuk i pëlqejnë fare – janë miqtë tanë me katër këmbë. Kafshët, veshët e të cilëve janë më të ndjeshëm, si Qentë e Macet, tremben shumë dhe shpesh humbasin edhe aftësinë e tyre të dëgjimit.
Probleme të tilla hasen edhe tek njerëzit ku përveç incidenteve të mundshme, krismat e shumta shpesh çojnë edhe në humbje të dëgjimit të përkohshëm ose të përhershëm. Mos ti harrojmë më të vegjlit tanë që mund edhe të traumatizohen.
TË GJITHË jemi në dijeni që këto krisma shumëngjyrëshe janë të kushtueshme, madje edhe të papërballueshme për disa që mezi sigurojnë bukën e gojës.
Të gjithë e dijmë që fishekzjarret shkaktojnë ndotje të gjerë të ajrit duke lënë grimca metalike, toksina të rrezikshme, kimikate të dëmshme dhe tym në ajër për orë dhe ditë. Madje disa nga toksinat nuk shpërbëhen plotësisht, por përkundrazi helmojnë gjithçka që bien në kontakt me mjedisin tonë.
TË GJITHË e dijmë që ndotja mjedisore paraqet një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve dhe vdekjeve në botë.
Por MEGJITHATË ne vazhdojmë ti promovojmë e ti blejmë ato për një shfaqje të shkurtër 5 minutëshe, për një kënaqësi momentale egoiste.
Ne vazhdojmë me ritmin e injorimit të shenjave paralajmëruese për rrezikshmërinë e shëndetit tonë duke vazhduar me aktivitete të tilla anti-mjedisore.
E për tu arsyetuar zgjedhim të themi: edhe ne si e gjithë BOTA po veprojmë.
MADJE për tu mburrur ka edhe të tjerë plot që fatkeqësisht nxjerrin edhe krisma nga pushkët e tyre automatike ilegale e që shteti është i pafuqishëm ti ndaloj.
– Po të ishim aq të suksesshëm në kopjimin e VLERAVE PËRPARUESE të kombit e njerëzimit ashtu siç jemi të suksesshëm në kopjimin e vlerave negative, qofshin ato degjeneruese shoqërore apo mjedisore do ishim të parët në botë.
A thua do vijë një DITË ku me veprimet tona do kemi vetëbesim që do ndryshojmë botën?!!
A thua do vijë një DITË ku MILIONAT që shpenzohen brenda sekondave të shpenzohen për PËRMBUSHJE SHPIRTËRORE duke ndihmuar fukaratë e jetimët?!!
A thua do vijë një DITË ku do jemi shtet shembull për gjithë botën mbarë?!!
Është PËRGJEGJËSI e jona të kujdesemi për mjedisin, njerëzit e tjerë dhe qeniet e tjera të gjalla.
SHËNDETI JONË VARET PIKËRISHT NGA NE.