Bëhet mirë pasi të jetë bërë keq
Tashmë kur Marrëveshja e shumëpritur për Qeverinë e Re u arrit, të gjitha palët, akterët dhe shtresat e shoqërisë sonë duhet të rikujtojnë dhe të jenë të vetëdijshme se:
1. Serbia u dëbua në mijëvjeçarin e II-të, ndërkaq sot jemi në mijëvjeçarin e III-të;
2. Kosova u çlirua në shekullin XX, ndërkaq tashmë gjendemi në shekullin XXI;
3. Jemi në dekadën e 3-të të vetëqeverisjes, në dekadën e 2-të të ngritjes së shtetit dhe në dekadën e fundit të shkatërrimit të institucioneve.
Kur ska ku shkon më keq, natyrisht se fillon të bëhet më mirë!
Prandaj, meqë situata të tilla qenë të shpeshta ndër ne, populli ynë parafrazoi shumë bukur: “Mbas t’keqes vjen e mira”.
Ama dilema është nëse kemi rënë në nivelin zero, apo jo, dhe nëse vërtetë ka marrë fund vrulli i zmbrapsjes dhe rënies sonë sistematike?!
Nëse po, është një sihariq i mirë se tashmë jemi mbështet për muri, apo kemi rënë për dhé.
Duke qenë kështu, pasi nuk kemi ku të shkojmë më mbrapa e më poshtë, ligji fizik i kundërgoditjes dhe ai biologjik i ripërtëritjes sërish do na ngritë në gjunjë, në këmbë dhe do na kthej ritmin në të kundërtën e rënies.
Po shpresojmë, edhe kësaj radhe, se ska ku shkon më keq dhe se ka përfunduar numërimi për së prapthi.
Prandaj, dhashtë Zoti, do të bëhet (më) mirë, qoftë edhe nëse do të fillojë çdo gjë nga 1-shi.
Ama “1” mbi “0”, jo nën të!
Adem Breznica, gazetar i pavarur