Konfirmohet një rast me koronavirus në Maqedoninë Veriore
Maqedonia Veriore ka konfirmuar të mërkurën rastin e parë të infektimit me koronavirus. Fjala është për një grua që porsa ishte kthyer nga Italia, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
“Pacientja ka dalë pozitiv në testin për koronavirus… Ajo është e para në Maqedoninë Veriore që është testuar pozitiv për këtë patogjen”, ka thënë ministri Venko Filipçe, duke shtuar se pacientja është aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore, raporton Reuters.
Gruaja, shtetase e Maqedonisë Veriore, e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore të mërkurën në mëngjes, kishte udhëtuar nga Italia me një furgon. Të gjithë udhëtarët e tjerë të furgonit u janë nënshtruar testeve, ka thënë Filipçe, transmeton KTV.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën pas një takimi me zyrtarët kryesorë shëndetësorë se vendi i tij deri më tani nuk ka evidentuar ndonjë rast me koronavirus, por se shërbimet shëndetësore janë vënë në gjendje gatishmërie për t’u ballafaquar me mundësinë e përhapjes.