Lëshohen në funksion linjat e tensionit të lartë në Preshevë
Pas sigurimit dhe vendosjes së qelive adekuate në trafostacionin kabinë në rrugën e “Rinisë”, përmes së cilës janë lidhur linjat nëntokësore të tensionit të lartë në trafostacionet që gjenden në rrugën e “Rinisë” dhe të “Gjilanit”, nga sot e tutje furnizimi me energji elektrike i kësaj pjese të qytetit do të bëhet nëpërmjet kabllove nëntokësore drejtëpërdrejtë nga trafoja kryesore e qytetit.
Ky investim kishte ngelur pa u përfunduar në mungesë të pajisjeve adekuate, të cilat i ka siguruar EPS-i dhe tashmë janë vënë në funksion.
Përmes kësaj ndërhyrjeje presim që furnizimi me energji elektrike në këtë pjesë të qytetit të bëhet në mënyrë stabile, pa u ndikuar nga kushtet atmosferike, me rastin e të reshurave apo erërave të forta, ku zakonisht ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.
Investimi në fjalë është bërë nga ana e EPS-it, në saje të bashkëpunimit me komunën e Preshevës, ku në takimet e përbashkëta, pa rreshtur u janë paraqitur kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve tanë, ku me këtë rast brenda mundësive të tyre, EPS-i është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave, edhe pse paksa të prolonguar.
Komuna e Preshevës falënderon EPS-in për investimin e realizuar dhe njëkohësisht apelon tek qytetarët e kësaj zone që të jenë të rregullt në shlyerjen e obligimeve ndaj EPS-it për energjinë e harxhuar, si dhe të evitojnë kyçjet ilegale, të cilat e çrregullojnë në masë sistemin e furnizimit me energji elektrike.