Presidenti serb Aleksandar Vuçiq: Është çështje kohe kur Serbia do ta njohë Kosovën
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se është çështje kohe para se Serbisë do t’i duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, de fakto apo de jure.
Vuçiq u deklarua kështu menjëherë pas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se taksa 100% e vendosur ndaj produkteve serbe do të hiqet, ani pse e njëjta do të zëvendësohet me masë reciprociteti, transmeton Indeksonline.
Në një intervistë për televizionin serb O2, Vuçiq tha se pas heqjes së taksës 100%, pritet presion i jashtëzakonshëm mbi shtetin serb për të pranuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Synimi i tyre është që ta fusin Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe kjo është esenca. Këtë duhet ta presim, dhe çështja është se kur do të ndodhë – brenda tre muajsh, gjashtë muajsh, një viti… kjo do të ndodhë”, tha Vuçiq.
I pyetur në lidhje me zëvendësimin e taksës me reciprocitet, Vuçiq tha se së pari duhet pritur se çfarë vendimi do të marrë Kosova për taksën dhe nëse do të ketë reciprocitet, por shtoi se nuk ka dyshim se do të pasojë presioni ndaj Serbisë.