Lajme

Qosja: Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, shqiptarë janë edhe në Luginën e Preshevës (video)

Akademiku Rexhep Qosja u shpreh në A2 se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen herët apo vonë, pavarësisht zërave kundër.

Teksa komentoi marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës, fërkimet që kanë ndodhur janë të pakuptimta dhe në kundërshtim me orientimin e Kurtit.

Sipas shkrimtarit të njohur, edhe pse e vështirë, shkëmbimi i territoreve mund të sillte zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se duhet menduar dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Çështja shqiptaro-serbe nuk zgjidhet lehtë. Serbia nuk lirohet lehtë prej mitologjisë së saj, prej historisë së saj mitologjikë të mesjetës. Shkëmbimi i territoreve do të bënte të mundshme që çështja shqiptarë-serbë, Serbi-Kosovë të zgjidhet përgjithmonë. Shqiptarë janë edhe ata në Luginën e Preshevës, kemi të drejtë të mendojmë dhe për ta për jetën e tyre dhe Serbia po merr territore të banuara me serbë. Ne ja falëm Malit të Zi territorin”, deklaroi Qosja.

Akademiku deklaroi se me shkëmbim territori nuk nënkupton që pjesa që mund të merrte Serbia të prekte pjesë vitale të ekonomisë së Kosovës, duke përfshirë këtu Trepçën dhe Mitrovicën. Këto çështje sipas Qoses do të mund të diskutoheshin më pas nga një ekip ekspertësh.

“Shkëmbimi i territoreve nuk është shpikje shqiptare, nuk është shpikje e serbëve. Është i madh numri i partive serbe dhe i serbëve që janë kundër vendosmërisht shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës dhe pjesës veriore të Kosovës. Për shkëmbimin më pas do të merreshin ekspertët. Nuk do të shkonte deri në Trepçë e Mitrovicë. Po mendoj për një vijë kufitare dhe jo për pjesë vitale për ekonominë e Kosovës”, u shpreh për A2 akademiku shqiptar.

“Fërkimet, të cilat kanë qenë pak më të theksuara Rama-Haradinaj, më duken të pa kuptueshme dhe të çuditshme. Janë një popull, dy shtete, një kulturë dhe një të kaluar. Tani, deshi fati, ishte një shans për shqiptarët, që ta shfrytëzojnë për shumëçka që t’i afrojnë marrëdhëniet e tyre që do të çojnë në një drejtim, që është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. U bashkuan Gjermanitë, por kurrë Gjermania Perëndimore nuk e ka hequr prej Kushtetutës bashkimin. Këto fërkime janë të palejueshme. Këto janë në kundërshtim me orientimin e Albinit, por unë shpresoj se gjendja do të vijë duke u përmirësuar. Këtu kemi intelektualë dhe akademikë që kanë shkruar Kosova ua ka thyer qafën dy perandorive, otomane dhe austro-hungareze, do ia thyejë edhe Shqipërisë. Kemi intelektualë që mendojnë se duhet të krijohet edhe kombi kosovar. Çfarë do të thotë kjo? Ju lutem. Kush ua jep atyre këtë të drejtë? Çfarë përfaqësojnë ata që flasin kështu?! Populli shqiptar është ndarë me dhunë dhe për 100 vjet janë mbushur burgjet e Serbisë dhe Greqisë që kanë kërkuar bashkimit.

Shqipëria dhe Kosova do të bashkohet, sepse ky bashkim është më së pari në interesin e shqiptarëve. Unë mendoj se shtetet e Ballkanit, kur ta kuptojnë këtë punë do ta pranojnë. E kanë më mirë me një shtet shqiptar në BE se me një.

https://youtu.be/GJzO2fT9ZRI

Related Articles

Back to top button