Lajme

Gjuha letrare s’është çështje vetëm e gjuhëtarëve

Mimoza Kelmendi në bisedë me Prof. Rexhep Qosen

Gjuhës Shqipe dhe Gjuhën Letrare Shqipe të vitit 1972? Ju keni qene vëte i pranishëm në punimet e këtij kongresi. A pati ndikime të politikës aktuale për caktimin e bazës së formimit të gjuhës?

Rexhep Qosja: Formimi i gjuhës që e përdorin gjithë pjesëtarët e një kombi, për dallim prej gjuhës dialektore që e përdorin vetëm disa nga pjesëtarët e atij kombi, te secili popull ka shënuar shkallën më të lartë të zhvillimit e qytetërimit të tij. Nuk jemi përjashtim, apo jo? Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe krijimi i Gjuhës Letrare shënon shkallën më të lartë në zhvilimin e qytetërimit tonë. Gjuha letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijës të popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij. Në këtë bisedë që po bëni ju me gjuhëtarë e shkrimtarë për Kongresin e Drejtshkrimit janë dëgjuar mendime pohuese se ka pasur dhe mohuese se nuk ka pasur ndikime të tilla. Unë nuk mund ta di a ka pasur ndikim të politikës në përcaktimin e bazës së gjuhës letrare. Por, unë jam i bindur se ka pasur ndikime të udhëheqjes së shtetit shqiptar në mbajtjen e kongresit, e kjo d.m.th. edhe në formimin e Gjuhës Letrare Shqipe. Dhe kjo, për mendimin tim, është e kuptueshme. Do të ishte e pakuptueshme dhe, në një mënyrë, e panatyrshme, po të mos kishte pasur ndikim të tillë. Gjuha letrare s’është çështje vetëm e gjuhëtarëve, por është çështje e krejt një populli, e krejt një shoqërie. Një filozof gjerman e ka thënë se gjuha është fenomen aq i rëndësishëm sa që nuk guxojmë t’ua lëmë në duar vetëm gjuhëtarëve. Gjuha i bashkon, por gjuha edhe mund t’i ndajë njerëzit. Shteti është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populi. Dhe, gjuha letrare standarde është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Nuk ka gjuhë letrare atje ku nuk ka shtet, më saktësisht, atje ku nuk ka vetëdije për shtetin, për të përbashkëtën institucionale. Nuk është e rastit që gjuhët letrare kryesisht janë krijuar në kohët kur janë shtuar faktorët që vendosin lidhjet e përbashkëta në jetën e popujve: komunikacioni, administrata, qyetetet e mëdha, universitetet, tregtia, librat, gazetat e të tjera. Dhe, nuk është e rastit pse vetëdija për një gjuhë të përbashkët, për Gjuhë Letrare Kombëtare, te shqiptarët fillon në kohën e Rilindjes, domethënë në kohën kur shquhet lëvizja për pavarësi dhe për forimimin e shtetit shqiptar. E di se nuk ka shtet në këtë botë, së paku qe dy shekuj, që nuk ka këmbëngulur për një gjuhë letrare, sepse ashtu lehtësohet funksioni i shtetit dhe ashtu lehtësohet bashkimi i kombit.

Çfarë roli luajtën në atë kohë gjuhëtarët nga Kosova në vendosjen e kritereve për Gjuhën Letrare Shqipe? A ka pasur argumente se kjo gjuhë është imponuar për të hequr dorë nga gegërishtja?

Rexhep Qosja: Të gjitha punët, gjuhësore, administrative, politike, për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit janë bërë në Tiranë, natyrisht. Gjuhëtarët nga Kosova nuk kanë mundur të luajnë farë roli të drejtpërdrejtë në vendosjen e kritereve për gjuhën letrare, sepse komunikimet me Shqipërinë ishin shumë të penguara prej pushtetit jugosllav. Por, gjuhëtarët nga Kosova, megjithatë, në masë të madhe e kanë nxitur, e kanë frymëzuar, e kanë ndihmuar vendosjen e atyre kritereve, së pari me Konsultën e Prishtinës, mbajtur në vitin 1968, e pastaj me përkrahjen e deklarauar të të gjithë intelektualëve kosovarë për krijimin e gjuhës letrare mbi kriteret që ishin shpallur. Atëherë nuk është dëgjuar zë kundër gjuhës letrare. Përkundrazi. Është dëgjuar përkrahje me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ne, për fat, nuk kemi menduar për gjuhën prej aspektit të dialektit. Ne kemi menduar për gjuhën letrare si pjesëtarë të një kombi, ashtu më në fund siç duhej të mendojmë edhe sot.

Ka zëra që gjuha letrare për 50 vjet nuk u familjarizua nga shqiptarët në Kosovë. Kjo, sipas tyre, ka sjellur dygjuhësinë. Si mendoni ju, sa është e vërtetë kjo tezë?

Rexhep Qosja: Sipas mendimi tim – kjo është tezë e rrejshme. Tek të gjithë popujt që kanë gjuhët letrare sot, përpos gjuhës standarde, në të folur, më pak a më shumë, përdoren edhe dialektet vendore. Duke u përgatitur për këtë bisedë me ju – unë lexova në librin e gjuhëtarit të njohur Oto Jespersen, “Njerëzimi i popullit dhe individi nga aspekti linguistik” se gjuha e gjermanëve të arsimuar, edhe sot, pak a shumë, pas aq shumë vitesh të krijimit të gjuhës letrare, është gjuhë dialektalisht e ngjyrosur. Dhe, nuk thuhet se gjuha standarde gjermane nuk është familjarizuar në Gjermani, Austri a në ndonjërën krahine gjermane. Çdokush që do t’i dëgjojë fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës, në shkolla, fakultete, vendtubime të ndryshme, se sa lehtë, se sa natyrshëm e flasin Gjuhën Letrare Shqipe, do të bindet se sa mirë është familjarizuar ajo në Kosovë.

Sa janë të përgjegjshëm vetë gjuhëtarët në Kosovë, por edhe shtresa intelektuale në përgjithësi, në njësimin e Gjuhës Letrare Shqipe, si një gjuhë e vetme dhe e standardizuar?

Rexhep Qosja: Numri më i madh i gjuhëtarëve dhe klasa intelektuale pothuajse në përgjithësi, me ndonjë përjashtim të rrallë, e përkrahin Gjuhën Letrare Kombëtare si gjuhë e vetme e standardizuar. Dhe, këtë e bëjnë me shumë përkushtim, e bëjnë me shumë përgjegjësi. Jam i bindur.

Ju jeni shkrimtar dhe autor i një sërë veprash letrare. Sa kanë ndikuar shkrimtarët kosovarë në pasurimin e gjuhës shqipe?

Rexhep Qosja: Besoj se kanë ndihmuar ndjeshëm, qoftë duke ia sjellë gjuhës letrare leksikun e viseve ku kanë lindur, qoftë duke trajtuar përmbajtje të reja, në trajta të reja moderen letrare që kërkojnë shprehje më të përbërë figurative e simbolike që doemos e pasuron gjuhën letrare në përgjithësi. Sot, profesor, janë një sërë mediash në gjuhën shqipe në Kosovë. A ndikojnë pozitivisht ato dhe auditori shkollor në Kosovë në përvetësimin e masës për përdorimin e një gjuhe të tillë? Rexhep Qosja: Mësuesit, arsimtarët e profesorët në Kosovë kanë bërë shumë dhe vazhdojnë të bëjnë shumë për përdorimin e gjuhës së përbashkët. Ata mund të quhen ajo shtresa profesionale së cilës ia detyrojnë ngritjen e kulturës gjuhësore të të rinjëve të Kosovës. Edhe mediat kanë ushtuar dhe ushtrojnë ndikim pozitiv në ngulitjen e normës letrare gjuhësore. Për fat të keq, në media, natyrisht me pak përjashtime, gjuha është shumë e thjeshtësuar, e kthyer gjithnjë e më dukshëm në gjuhë zhargoni, në të cilën si edhe në politikë, zotërojnë disa fjalë, si për shembull fjalët: liria, pavarësia, demokracia, republika, që s’kanë lidhje me përmbajtjen kuptimore dhe me kontekstin që do t’i shpjegonte ato. Këtu kemi një paradoks të çuditshëm. Mediat e ndihmojnë përdorimin e gjuhës letrare me vetë faktin se e përdorin. Por, endihmojnë duke e varfëruar jashtëzakonisht shumë. Ngjet kështu sepse përmbajtja mbizotëruese e mediave tona janë politika, së cilës ato shumë përulshëm i shërbejnë, dhe argëtimi. Ngjet kështu sepse mediat, në mënyrë të veçantë mediat elektronike, tregojnë një disponim të vazhdueshëm kundërintelektual, sigurisht nën ndikimin e disa faktorëve që intelegjencinë vazhdojnë ta quajnë si në kohën e komunizimit, prodhuese të nacionalizmit.

Me pretendimin se gegërishtja është gjuhë shqipe dhe jo serbe, çfarë mendimi keni ju, ose cili është vlerësimi juaj se kujt i shërben përdorimi i saj sot dhe a duhet për disa sektorë të vendosen ligje në përdorimin e Gjuhës Letrare Shqipe?

Rexhep Qosja: Në një shoqëri demokratike çdokush mund ta flasë a ta shkruajë gjuhën që do, gjuhën letrare apo dialektin. Është çështje tjetër, ndërkaq, ne qoftë se dikush e mohon gjuhën e përbashkët letare për hir të dialektit apo në qoftë se dikush e mohon gjuhën letrare kombëtare në emrin e dy të ashtuquajtuarve gjuhë dialektore letrare. Në një rast të tillë kemi të bëjmë me çështje serioze, jo gjuhësore, por, në radhë të parë, me çështje politike. Në Kosovë dhe në Shqipëri mund të dëgjohen individë që e mohojnë gjuhën e përbashkët dhe predikojnë veçimin dialektor. Ata janë të frymëzuar prej qarqesh politike në Prishtinë që përvjedhin idenë sipas së cilës Kosova karshi Shqipërisë duhet të zhvillohet si Austria karshi Gjermanisë dhe harrojnë se Gjermania dhe Austria, megjithatë, kanë një gjuhë letrare, Gjuhën Letrare Gjermane. Ata janë të frymëzuar, ma merr mendja, njëkohësisht edhe prej qarqesh të huaja politike që tradicionalisht janë përpjekur t’i ngatërrojnë punët e shqiptarëve. Të gjitha, thotë Gëte, janë të vdekshme, vetëm marrëzirat janë të pavdekshme. Përpjekjet për rrënimin e gjuhës letrare mund të bëhen edhe ndonjë ditë, por janë të dështuara sepse janë prapakthime kundërhistorike që do të kishin pasoja shumë të mëdha. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj se a duhet të vendosen ligje në disa sektorë në përdorimin e gjuhës, unë mund të them më sa vijon: përdorimi i gjuhës letrare është i rregulluar jo vetëm me marrëveshje, por edhe me ligje në vendet që kanë gjuhë të standardizuar, në adminstratë, arsim, shëndetësi, ushtri, në instuitucionet e shkencës e kulturës, në media, mund të përdoret vetëm gjuha e standardizuar. Kështu është edhe te ne, por në disa vende rregullimi i çështjeve të gjuhës letrare është çuar edhe më përpara. Në disa vende në ministritë e arsimit e të kulturës e në disa akademi të shkencave bëjnë kujdesin për kulturën e gjuhës në përgjithësi. Këto institucione caktojnë, fjala vjen, se cilat fjalë të huaja mund të përdoren në gjuhën standarde. Në Slloveni, për shembull, ekzistn gjyqi i gjuhësisë që dënon shkeljet e normave të gjuhës letrare.

Profesor, çfarë do të thotë për ju si shkrimtar një shkrim i shkruar në gjuhë letrare dhe çfarë do të thotë një shkrim i shkruar në gegërisht?

Rexhep Qosja: Të shkruash në gjuhën letrare, sipas mendimit tim, së pari do të thotë të shkruash si njeri me kërkesa më të larta shpirtërore, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash me kërkesa sado kudo me të rrudhura shpirtërore. Të shkruash në gjuhën letrare do të thotë të shkruash me mundësi më të mëdha të shprehjes gjuhësore e artistike, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash me mundësi më të pakta të shprehjes gjuhësore e artistike. Të shkruash në gjuhen letare do të thotë të shkruash për shumë më tepër lexues, për gjithë pjesëtarët e populit të cilit i takon, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash për më pak lexues, për pjesëtarët e atij dialekti. Të shkruash në dialekt do të thotë të vjtërohesh gjuhësisht më shpejt, kurse të shkruash në gjuhën e njësuar letrare do të thotë të shkruash për kohë shumë më të gjatë, në mos jo përgjithmonë. Ata që duan ta dënojnë vetën e të shkruajnë për më pak lexues e për kohë më të shkurtër duhet t’i përkujtojmë për këtë, por në asnjë mënyrë t’i pengojmë. Njeriu duhet të jetë i lirë të bëjë ç’të dojë me veten e tij.

(Marre nga libri „Shansi gjerman dhe shqiptaret“)

Related Articles

Back to top button