Nga Presheva në Shkup për t’i realizuar ëndrrat, Fitim Nuhiut i refuzohet shtetësia (video)
Fitim Nuhiu ka ardhur nga Presheva në Shkup për të realizuar ëndrrën e tij, të krijojë familje dhe të jetë aktiv në shoqëri.
“Kur erdha herën e parë, gjatë periudhës 2008 – 2009, kisha ëndrra si gjithkush për të punuar këtu dhe për të qenë aktiv në jetën publike”, theksoi Fitim Nuhiu.
Por edhe pse i kurorëzuar me një grua shtetase e Maqedonisë së Veriut dhe ka edhe shtëpi banimi, Nuhiut nuk po i jepet as shtetësia, e lëre më një vend pune.
“Unë para 10 – 11 viteve kam ardhur këtu në Shkup, dhe jam i martuar me gruan që e ka shtetësinë e Maqedonisë, mirëpo më refuzohet. Për herë të dytë më ka ardhur përgjigja negativ. Me përgjigjen shumë absurde, që jam i rrezikshëm për sigurinë kombëtare apo shtetërore”, tha Fitim Nuhiu.
Për shtetësinë ai kishte marrë premtim edhe nga vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
“Menjëherë me atë letër shkova prapë te zëvendësministri. I thash se më premtove se do të zgjidhet kjo problematikë. Atij ju drejtova, sepse ai ishte që e proklamoi këtë idenë e shtetësisë dhe mendova se gjeta zgjidhje, dhe prandaj ju drejtova atij”, deklaroi Fitimi.
Ai s’ka shpresë se do të zgjidhet problemi. E kjo ia ka sjellë në kokë idenë për t’u shpërngulur edhe nga ky vend.
“Me të thënë të drejtën, kur e morëm negativ, shoqja më tha hajde të ikim nga ky vend, seriozisht. U ndjeva shumë keq, se pse erdh ajo deri në atë pikë”, pohoi Nuhiu.
Për të kuptuar se ku mbeti premtimi kërkuam qëndrim nga zëvendësministri Nuhiu.
“Për të mësuar se pse Fitim Nuhiu i ishte refuzuar nënshtetësia nën arsyetimin se është i rrezikshëm për shtetin, kishim caktuar takim me zëvendësministrin për Punë të Brendshme, Agim Nuhiun. Por edhe pse takimin e kishim caktuar për sot në ora 11, i njëjti nuk pranoi të japë deklaratë nën arsyetimin se ishte ftuar me urgjencë në Qeveri për të mbajtur mbledhje”, Fatbardhë Curri – gazetare.
Në Maqedoninë e Veriut thuhet se pa shtetësi janë deri në 1 mijë persona. Nuk dihet se sa prej tyre janë sikur Fitimi, sepse pa nënshtetësi ka edhe nga ata që kanë lindur e rritur këtu.