As pas 10 ditëve nuk ka informacion për fatin e Besnik Osmanit (Video)
10 ditë kaluan por Besnik Osmani nuk u bë më i gjallë. Ai kishte kaluar ilegalisht kufirin për të shkuar në Preshevë por deri më tani vetëm vetura e tij është gjetur.
Telefonatën e fundit me bashkëshorten e bëri më 24 mars. E që nga ajo ditë, Vjollca Osmani e ka humbur komunikimin me bashkëshortin e saj Besnik Osmani. Ky i fundit që punon si kontabilist në Bibliotekën shtetërore në Preshevë qëndroi në Prishtinë për disa ditë për pushime ku ka familjen.
Para 10 dite ai u nis për në Preshevë që tua dorëzojë pagat punëtorëve por për shkak të pandemisë Covid-19 nuk u lejua ë të kalojë pikën kufitare e të kalojë në Serbi.
Osmani vendosi që të kalojë ilegalisht kufirin e të dalë në Preshevë por një ditë më vonë u gjet vetëm vetura e tij në fshatin Muqibabë, por jo edhe Besniku.
Vjollca Osmani thotë se bashkëshorti i saj ka dy nënshtetësi atë të Kosovës dhe Serbisë përderisa dyshon se Besniku u arrestua nga forcat serbe.
Për këtë ajo po kërkon ndihmë edhe nga institucionet e Kosovës.
Nënkryetari i Komunës së Preshevës Armend Aliu i tha Klan Kosovës se për dy ditë rresht kanë kërkuar me vullnetarë Besnikun në vendin ku është gjetur vetura por se nuk kanë pasur rezultate.
Ai shtoi se Osmanin e kanë kërkuar edhe në institucionet serbe, burgje e karantina por që iu është konfirmuar se nuk është burgosur në Serbi.