Memli: Pse e harruat Luginën e Preshevës në kohë të pandemisë?
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi e ka pyetur ministrin Arben Vitia se pse ai me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën e Xhelal Sfeçlën morën vendim dhe i dhanë leje Beogradit të dërgoj qindra personel shëndetësor për serbët e Kosovës dhe pse Qeveria e Kosovës nuk e zbatoi reciprocitetin për të dërguar mjekë nga Kosova në Luginë të Preshevës për tu dalë në ndihmë shqiptarëve atje.
Krasniqi thotë se me lejen e tyre kanë hyrë në Kosovë 300 zyrtarë serbë pa u verifikuar nëse të gjithë janë punëtorë shëndetësorë.
“Rreth 300 zyrtarë serbë kanë hyrë në Kosovë me lejen tuaj. Madje, pa u verifikuar nëse janë të gjithë vërtet vetëm punëtorë shëndetësorë. Kjo përbën rrezikimin më të madh të sigurisë në Republikën e Kosovës, së paku që nga shpallja e pavarësisë. Çka i thonë kësaj, përveç dorëzim dhe kapitullim? Si nuk kërkuat, së paku, që edhe Kosova të dërgojë mjekë e infermierë në Luginën e Preshevës? A nuk është ky reciprocitet? Pse nuk menduat për shqiptarët e Luginës, të cilët as në kohë të pandemisë nuk e kanë kujdesin e duhur nga institucionet e atjeshme?”, ka shkruar Krasniqi.