Lajme

Të vetëm përballë COVID-19, Armend Aliu: Shqipëria dhe Kosova nuk na kanë ndihmuar (Video)

Pandemia globale e COVID-19 nuk ka prekur vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe një pjesë të atyre që jetojnë në trevat tona. Edhe pse me një numër të papërfillshëm, Lugina e Preshevës ka regjistruar të prekurit e parë nga ky virus.

Euronews Albania zhvilloi një komunikim të drejtpërdrejtë me nënkryetarin e Komunës së Preshevës Armend Aliu, i cili tha se shteti i Serbisë nuk ka ndihmuar me mjete apo suport financiar shqiptarët që jetojnë në këtë trevë. Ai theksoi se deri tani janë regjistruar 5 raste me COVID-19 në Luginën e Preshevës.

“Zakonisht kur bëhen lajme për Luginën e Preshevës janë të kontekstit negativ. Kësaj here do të jap lajm të mirë. Lugina nuk ka të prekur, Komuna e Preshevës zero të prekur, Bujanoc 3 raste, Medvegja 2. Një numër për ne i vogël, duke marrë parasysh numrat që vijnë në Serbia. Presheva ka pasur probleme të theksuara në zhvillimin ekonomik. Fatmirësisht shqiptarët e kanë shpirtin e ndërmarrjes dhe sipërmarrjes dhe i kemi mbijetuar kohërave edhe më të vështira. Jam i bindur se do ta tejkalojmë këtë krizë. Deri tani nuk ka ndonjë alokim të mjeteve financiare për tejkalimin e krizës. Komuna e Preshevës nuk ka marrë ndonjë asistencë për këtë çështje”, tha ai.

Ai tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të ndihen të diskriminuar nga shteti i Serbisë në çdo aspekt social dhe politik. Teksa lufta ndaj COVID-19 kërkon një mobilizim shtesë, nënkryetari i komunës së Preshevës, Armend Aliu tha se Shqipëria dhe Kosova, nuk i kanë ndihmuar aq sa duhet shqiptarët që jetojnë në këtë trevë.

Ai kërkoi më shumë vëmendje, jo në ushqime e mallra, por në suport me burime njerëzore për të rritur kapacitetet e vetëdijes mbi ruajtjen e shëndetit në këtë situatë të vështirë për të gjithë globin.

“Unë e përfaqësoj pjesën e popullit shqiptar, e cila i ka tejkaluar së bashku të gjitha sfidat bashkërisht me komplet kombin, por këto sfida tek ne ende nuk kanë përfunduar. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë avancuar me të drejtat e tyre, ne ballafaqohemi me një diskriminim modern nga Serbia. Ne që jetojmë në kufi na është dashur ta ruajmë identitetin tonë më me fanatizëm. Vëllezërit e mi nuk ma lejojnë të kërkoj mëshirë dhe të ankohem, por thjesht si përkujtues për Kosovën dhe Shqipërinë se ne e meritojmë një vëmendje pak më të madhe. Ky do të ishte mesazh pozitiv për shqiptarët nëse ajo vëmendja do të materializohet. Nuk po flas për ndihma me artikuj ushqimorë, por ndoshta me burime njerëzore ndoshta në ngritjen e vetëdijes shëndetësore”, shtoi ai.

Related Articles

Back to top button