Kurti: Projekti i shkëmbimit territorial ka dështuar, me mua Kryeministër edhe ideja vdes
Për Albin Kurtin projekti i shkëmbimit territorial mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar dhe me të si Kryeministër ai thotë se edhe ideja që është akoma gjallë do të vdesë.
Për Rtv Ora, ai thotë se shumë shpejt do të qartësohet edhe roli i Richard Grenell në dialog pas lajmit për dorëheqjen e tij si ambasador amerikan në Gjermani.
Por Kurti zgjidhjen e vetme për Kosovën e sheh te bashkëpunimi transatlantik mes SHBA e BE. A ekziston mundësia e një marrëveshje për shkëmbim territoresh përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA?
Kurti: Projekti i shkëmbimit territorial që në thelb është propjekti i ndarjes së Kosovës ka dështuar por ideja nuk ka vdekur. Ekziston si kërcënim. Me mua si kryeministër edhe ideja vdes prandaj ka motiv shtesë nga qarqe të caktuara që kjo të ndryshojë. Ambasadori Grenell kishte dikur tre funksione, sot e ka një. Nuk është më ambasador i SHBA-së në Gjermani, nuk e di nëse ky zvoglim drastik si diplomat politik do të thotë se do të ketë më shumë kohë për dialogun Kosovë-Serbi apo edhe aty do të ketë më pak pushtet.
Nuk besoj që ne mund ta dimë por jam i bindur që së shpejti do ta marrim vesh, në ditët në vijim. Zgjidhja është bashkëpunimi transatlantik mes SHBA e BE. Këto janë dy superfuqitë më të mëdha të kohës që nuk kanë zëvendësim me dikë tjetër për ne si Republikë e Kosovës dhe ne si komb shqiptar, por njëkohësisht nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën, na duhen të dyja si SHBA ashtu dhe BE.