Vazhdon procesi i nënshkrimeve në Bujanoc dhe Preshevë për zgjedhjet parlamentare
Partitë pjesëmarrëse në listën e përbashkët për zgjedhje parlamentare në Serbi po vazhdojnë procesin e grumbullimit të nënshkrimeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 21 qershorit.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga PVD, APN, PD, LPD dhe GQ-LRPDSH janë ndarë edhe përgjegjësitë për procesin e pjesëmarrjes dhe në këtë mënyrë secili subjekt politik po vazhdon nëpër selitë e veta të grumbullojë nënshkrimet e nevojshme.
Këto subjekte po bëjnë përgatitjet për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare me listën “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” dhe duhet dorëzuar në Komisionin Qendrorë Zgjedhorë në Beograd më së paku 10 mijë nënshkrime edhe ate 15 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Në Tiranë më 16 janar të vitit 2020 mes subjekteve politike në Luginë të Preshevës dhe me mbështetje të ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është nënshkruar marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë.