Diskriminimi dhe dhuna ndaj shqiptarëve të Medvegjës

Shkruan: Gëzim Zeqiri
Shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të mbesin edhe më tutje të diskriminuar dhe të pambrojtur në shtëpitë e tyre. Përpos diskriminimit të përditshëm në të gjitha segmentet e mundshme dhe pamundësimi i investimeve shqptare, duket sikur raste të shumta të dhunës ndaj kësaj popullate nuk janë adresuar si duhet dhe nuk janë trajtuar nga askush, kështu që edhe fajtorët nuk janë vënë para drejtësisë dhe ligjit. Në anën tjetër, për raste të tilla nuk ka pasur as reagim adekuat të institucioneve të Shqipërisë dhe as të Kosovës, megjithë obligimin moral dhe institucional për t’i dalë në mbrojtje bashkëkombasve të tyre në Luginë.
a.Diskriminimi institucional i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës
Diskriminimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e shtetit serb ka forma dhe nivele të ndryshme. Disa prej formave të diskriminimit janë diskrete dhe kinse të pa-orientuara ndaj shqiptarëve në veçanti, siç është rasti i lënies pasdore dhe mosinvestimi në zhvillimin ekonomik të Luginës. Të kujtojmë se Medvegja, Presheva dhe Bujanoci janë ndër komunat më të pazhvilluara në gjithë shtetin e Serbisë. Papunësia e të rinjëve në mesin e komunitetit shqiptar në Medvegjë është edhe më e theksuar. Në një deklarim të ndihmës-kryetares të Komunës së Medvegjës znj. Leme Xhema, është thënë se “Problem… shumë i rëndësishëm është papunësia e shqiptarëve në institucionet publike. Shembull: në elektroenergjinë nuk është i punësuar asnjë shqiptar kurse kemi 9-10 fshatra shqiptare, gjithashtu në postë nuk është i punësuar asnjë shqiptar”.
Po ashtu, në rastet e interesimit të shqiptarëve për të investuar në Medvegjë, pushteti Komunal ka paraqitur pengesa të pakalueshme dhe e ka pamundësuar këtë gjë. Siç ka qenë e pasqyruar edhe në mediat lokale, “një investim, i cili më vonë do të mundësonte edhe punësimin e disa njerëzve të kësaj ane, e kishte filluar afaristi nga Tupalla e Medvegjës, z. Agim Ukiqi…por, fatkeqësisht puna e tij u ndalua sapo ia kishte filluar dhe pasi kishte bërë investime të mëdha”.
Forma të tjera të diskriminimit janë më të hapura dhe pa asnjë justifikim. Për shembull, me gjithë rregullimin ligjor të dygjuhësisë në këto komuna, shumë shpesh ndodh përdorimi i alfabetit cirilik në dokumente zyrtare, e për sa i përket dygjuhësisë as që bëhet fjalë. Të kujtojmë lansimin në gjuhën serbe dhe vetëm në alfabetin cirilik të “ditarit elektronik” në vitin 2018, ditar ky me të cilin shqiptarët janë detyruar të punojnë. Po ashtu, emërtimet e rrugëve dhe vendbanimeve janë bërë vetëm në gjuhën serbe dhe vetëm me emra të serbëve, duke u refuzuar kështu një mori kërkesash të shqiptarëve të Medvegjës për përfshirjen e disa emërtimeve me figura të dalluara të kombit shqiptar. Pra, në Komunën e Medvegjës diskriminimi është më i theksuar dhe vërehet kudo. Diskriminimi dhe shtypja e shqiptarëve vërehet që nga emërtimi i fshatrave dhe rrugëve të qytetit vetëm me emra provokues serbë, e deri tek dhuna fizike e ushtruar ndaj shqiptarëve të paktë të mbetur në Medvegjë.
Këto forma diskriminimi e dhune në kohën e sotme të “paqes” e cila shpesh proklamohet, kanë bërë që popullata shqiptare e Medvegjës të t’kurret deri në 500 – 600 shqiptarë të cilët përkundër dhunës e represionit, kanë vendosur të qëndrojnë dhe të flijohen për vendlindjen e tyre.
b.Militarizimi i komunave shqiptare;
Që nga koha e luftës e deri në ditët e sotme, Lugina e Preshevës ka mbetur në e militarizuar dhe në “shtetrrethim”. Gjatë vizitës zyrtare të Koordinatorit Nacional, kemi vërejtur praninë shumë të madhe të forcave ushtarake e policore nëpër rrugët e Preshevës, Bujanocit e të Medvegjës. Prania e uniformave ishte jashtëzakonisht e dukshme dhe shpërfaqte tendencën e frikësimit të popullatës në tërë qytetet dhe fshatrat e Luginës.
Prania aq e madhe e forcave paramilitare, ushtarake e policore ka sjellë edhe incidente të dhunshme, të cilat vazhdojnë që nga paslufta e deri në ditët e sotme.
I tillë ishte edhe rasti i Sokol Ismajlit nga fshati Gërbac i Medvegjës, i cili në 18 nëntor të vitit 2011 ishte sulmuar në shtëpinë e tij dhe ishte rrahur brutalisht nga policia serbe.
z. Ismajli kishte qenë në shtëpinë e tij në Medvegjë kur disa pjesëtarë serbë të policisë e kishin rrahur duke e goditur me mjete të forta në kokë, përpara familjes dhe përpara fëmijëve të tij. (nga youtube. com)
Nga veprime të tilla është krijuar frikë dhe panik në mesin e popullatës së pambrojtur shqiptare të Medvegjës. Në realitet, kjo frikë e ka burimin pikërisht nga organet e rendit dhe të sigurisë të cilët, sikurse në rastin e z. Ismajli, kanë bërë target të sulmeve fizike pikërisht këtë popullatë.
Ky artikull është bazuar në Raportin për Medvegjën, i cili është shkruar nga autori i njejte për Zyren e Kryeministrit të Kosovës