Mali i Zi dje e shpalli fundin e koronavirusit
Mali i Zi shpalli të martën fundin e epidemisë së koronavirusit, me rekomandim të Institutit për Shëndetin Publik.
“Ky është rezultat i përpjekjeve disamujore nga të gjithë”, tha Qeveria malazeze përmes një postimi në Twitter.
Vendimi për fundin e epidemisë vjen pasi Mali i Zi, të martën, ka kaluar 28 ditë pa asnjë rast të ri me koronavirus.
Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Mal të Zi, Mina Brajoviq, e vlerësoi suksesin e këtij vendi në luftën kundër koronavirusit, por tha se autoritetet duhet të jenë të kujdesshme, sepse bota është ende në fazën e pandemisë.
“Duhet ta kemi në mendje faktin se virusi është ende pranë nesh. Duhet ta kemi parasysh se të dhënat nga sistemi mbikëqyrës i OBSH-së tregojnë se një numër i madh i rasteve të pazbuluara të të infektuarve ekzistojnë akoma. Kjo është arsyeja përse një nga rekomandimet kryesore të OBSH-së për autoritetet, është të vazhdohet në mënyrë agresive dhe energjike me zbulimin, testimin dhe monitorimin e kontakteve”, tha Brajoviq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Mali i Zi, gjithsej, ka konfirmuar 324 raste me koronavirus.
Prej tyre, nëntë pacientë kanë vdekur, të tjerët janë shëruar.