Ministri Cakaj vazhdon vizitën në Bujanoc, takon kryetarin e komunës
Gjatë qëndrimit zyrtar në Luginën e Preshevës, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi edhe një takim me Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi. Në një reagim në Facebook, Ministri në detyrë Cakaj theksoi se, me Kryetarin e Komunës së Bujanovcit, ndanë të njejtën bindje, atë të bashkimit të brendshëm të faktorit shqiptar, si një parakusht i forcimit të tij.
“Ndaj, do të vazhdojmë me qasje të bashkërenduar e me bashkëpunim sistematik në të mirë të Luginës e shqiptarëve në përgjithësi.”- u shpreh Cakaj në reagimin e tij. Sipas Kryediplomatit Cakaj, edhe pse ka disa parti politike shqiptare, duhet të ketë vetëm një faktor politik shqiptar. Më tej, Ministri në detyrë Cakaj vizitoi edhe disa vende me rëndësi të veçantë për zhvillimin e qytetit, të cilave u zotua se do të kenë mbështetjen e qeverisë shqiptare pa kursim.