Nga sot qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetëizolohen për 7 ditë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot qytetarët që hyjnë në vendin tonë të mos i nënshtrohen masës së vetëizolimit shtëpiak për një javë. Në vend të testimit të detyrueshëm për COVID-19, për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo në QKMF-të brenda komunave.
Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ushtruesja e detyrës së kryeinspektores shëndetësore Nora Krasniqi dhe kryeinspektori i AUVK, Ibrahim Tërshnajku do të vizitojnë sot pikën kufitare në Vërmicë, për të parë implementimin e masave të reja për COVID-19. Ndryshe, nga sot, si pjesë e masave të reja lehtësuese, do të hiqet edhe kufizimi i qarkullimit për qytetarët nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, iu drejtua qytetarëve mbrëmjen e djeshme duke thënë se gjendja me Covid-19 është normale dhe nuk ka nevojë për panik. Bashkë me drejtorin e IKSHPK-së, atë të Policisë së Kosovës dhe të Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësorë, Zemaj tha se të gjithë bashkë kanë bërë një kalkulim të gjendjes ditore aktuale dhe qartësim të situatës në të cilën ndodhemi.
“Mos të përhapim panik, sepse s’i ndihmon askujt dhe vetëm e dëmton zhvillimin e Kosovës dhe i ndihmon interesat e individëve edhe në dëmtimin e shëndetësisë kosovare. Kjo lutje është bashkërisht me të gjithë neve, por edhe marrja e përgjegjësisë shtesë që qysh nga ky moment do t’i aktivizojmë të gjitha aktivitete institucionale që hapat e fundit të luftimit të kësaj pandemie t’i marrim me seriozitet të shtuar. Rritje e kontrolleve dhe shtimin e inspektorëve anembanë Kosovës”, deklaroi Zemaj. Zemaj mes tjerash tregoi se pretendimet e tyre janë që shumë shpejt t’i hapin edhe kufijtë ajror.