Kujt po i mbetet merak pushteti pa serbët në komunën e Bujanocit
Hyrja e SNS-it në pushtetin lokal në Bujanoc është e nevojshme, ndërsa kjo mundësi është paraparë edhe me marrëveshjen e partive shqiptare për formimin e shumicës, ashtu që të lihet hapësirë edhe për palën serbe, thotë për Bujanovaçke Nexhat Behluli, i cili konsiderohet njohës i rrethanave lokale.
“Do të ishte e dëshirueshme që Bujanoci si një komunë multietnike të ketë edhe qeverisje multietnike, dhe shpresoj se kjo edhe do të ndodhë. Ende nuk është konvokuar mbajtja e seancës konstituive, ndërkohë ajo që dihet deri më tani është se Partia Demokratike e Nagip Arifit – si fituese e zgjedhjeve – bashkë me partitë e tjera shqiptare kan siguruar shumicën në Kuvend, mirëpo sipas marrëveshjes së tyre, të cilën e kam parë, është lënë mundësia që këtij koalicioni t’i bashkohet edhe SNS, sipas çelësit i cili i cili ka funksionuar në Bujanoc që nga viti 2002. Sipas këtij çelësi kemi ndarje të pushtetit në raportin 60% për shqiptarët dhe 40% për serbët, gjë e cila tradicionalisht kështu ka funksionuar në 18 vitet e fundit” thotë Behluli.
“Personalisht mendoj se edhe SNS do të jetë pjesë e qeverisjes në Bujanoc, e cila do të thoshte shumë për komunën tonë, kur e dimë se ata do të jenë bartësit e qeverisë republikane, pa ndihmën e të cilave komuna jonë mund të ketë probleme serioze sepse, siç e dimë, buxheti i dobët i komunës sonë plotësohet nga buxheti republikan.”
“Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që SNS të jetë pjesë e qeverisë në mënyrë që përfundimisht tre deputetë të koalicionit shqiptar të mund të përfaqësohen në Qeverinë e Republikës.”
Për më tepër, zhvillimi ekonomik lokal dhe ardhja e një investitori të huaj varet drejtpërdrejt nga mbështetja dhe lobimi i ministrive përkatëse.
“Përndryshe, Komuna e Bujanocit është shumë e vogël dhe e parëndësishme për të ndikuar në arritjen e një marrëveshjeje të mundshme përfundimtare, politikisht të qëndrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse në negociatat e mëparshme që Serbia dhe Kosova kanë zhvilluar për disa vite, shqiptarët nga Lugina e Preshevës nuk ishin të ftuar të merrnin pjesë”, shpjegon Behluli.
Aktivisti nga Presheva Valon Arifi në një prononcim për Bujanovaçke thotë se shumica shqiptare në qeveri duhet të përfshijë edhe sërbët dhe romët në Bujanoc.
“Unifikimi i partive shqiptare në Bujanoc nuk do të thotë se nuk duhet që partit serbe dhe rome nuk duhet të përfshihen në qeverinë lokale. Bujanoci është dhe duhet të jetë një qytet i hapur pa ndarje etnike, serbët shqiptarët dhe romët duhet të bëhen bashkë për qytetin e tyre.”
“Nagip Arifi, si fituesi i zgjedhjeve, duhet të përfshijë edhe partitë serbe edhe ato rome në koalicionin qeverisës,” tha Valon Arifi.
4 partitë shqiptare nënshkruan marrëveshjen për formimin e shumicës në kuvendin komunal të Bujanocit, nesër pritet që të mbahet edhe seanca konstituive.