Lajme

Meliza e Selimi në Preshevë, premtojnë përkrahje për Luginën

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi kanë bërë vizitën e parë në Preshevë.
Dy ministrat kosovarë kanë premtuar përkrahje për Luginën dhe adresimin e problemeve të tyre në nivele ndërkombëtare.

“Nder i veçantë të realizojmë vizitën e parë zyrtare të Qeverisë së Kosovës në Luginën e Preshevës në një delegacion të përbashkët me Ministrin e Drejtësisë, z.Selim Selimi i cili është Ministër i parë që vjen nga kjo anë. Në pritjen e Kryetarit të Komunës të Preshevës, z. Shqipërim Arifi, mësuam nga afër për shqetësimet dhe sfidat e shqiptarëve këtu, dhe diskutuam rrugën tonë përpara për të adresuar këto shqetësime. Çregjistrimi diskriminues dhe selektiv dhe i qëllimshëm i shqiptarëve të Luginës nga regjistrat civil, si dhe moskujdesi shëndetësor dhe human i Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të kësaj ane, duhet te ndalet.

Republika e Kosovës do të angazhohet që të adresojë këto tema në nivelet më të larta ndërkombëtare” shkruan Haradinaj-Stublla në njoftim.“Ndjenjë shumë e veçantë të vizitoj sot Preshevën, me tërë madhështinë dhe përgjegjësinë, që bartë posti i Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kosovës, por edhe me tërë vogëlsinë time, si bir i këtij qyteti. Presheva është lënë anash, por nuk është harruar nga bijtë e saj dhe të gjithë ata që e kanë në zemër, siç e kam dhe unë. Me kryetarin dhe mikun tim Shqiprim Arifin, biseduam për projekte të përbashkëta që ngrisin cilësinë e jetës së qytetarëve në Luginë.

Kryetarit Arifi i dhash garancën time personale, që do ta mbështes në misionin e tij për ta kthyer Gjykatën dhe Prokurorinë në Preshevë. Gjithmonë krah i fortë i Komunës së Preshevës dhe Luginës në tërësi. Poashtu, sot në nderim të sakrificës sublime për të drejtën tonë, kemi bërë homazhe pranë vendit ku ishte i vendosur lapidari kushtuar luftëtarëve të rënë të Luginës” shkruan Selimi në vizitën në vendlindje.

Related Articles

Back to top button