Lajme

Nëse shkoni pa maskë në Kosovë mund të dënoheni me 500 deri në 1000 euro

Një person që nuk do të bartë maskë jashtë shtëpisë së banimit mund të dënohet me 500 euro.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com kryeinspektori sanitar Ibrahim Tërshnjaku.

Sipas Tërshnjkaut sot ka qenë dita e parë e inspektimit për bartjen e maskës dhe sipas tij, inspektorët dhe policia janë habitur me numrin e personave që kanë qenë duke bartur maskë.

Sipas tij, edhe vendimi i Qeverisë për kufizim të lëvizjes është duke u respektuar pothuajse 100 përqind në përjashtim të rasteve të rralla.

“Ne kemi kryer një aksion dhe kemi parë veprime pozitive të qytetarëve për bartjen e maskës. Jemi çuditur se si e kanë akceptuar këtë vendim për bartjen e maskës, diku rreth 90 përqind. Gjithashtu kemi parë se edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në ora 05:00 në mëngjes është pothuajse 100 përqind. Unë sot nuk e di sa masa janë shqiptuar sepse nuk i kam procesverbalet me vete. Gjoba që do t’i shqiptohet një personi fizik për mosbartje të maskës është 500 euro ndërsa personave juridik, në këtë rast objekti afarist do të ketë gjobë nga 1000 euro. Ne nesër do të inspektojmë edhe në institucione për të parë se a po respektohet kufizimi i punëtorëve sipas manualit, dmth a po mbahet distanca vetëm me stafin esencial dhe më pas do të shohim se ku kemi mundësi të përhapjes së virusit në mënyrë që ta parandalojmë”, ka thënë Tërshnjaku.

Në një komunikim të mëhershëm të KALLXO.com dhe Policisë së Kosovës, Inspektorati Sanitar shqipton gjobat, ndërsa Policia e Kosovës i procedon rastet më tutje.

“Bazuar në vendimin e ministrisë kompetente shqiptimi i gjobave për mosrespektim të këtij vendimi është bërë nga Inspektorati Sanitar të cilëve ju mund ti referoheni, ndërsa PK-ja sipas procedurës ligjore ka hapur raste në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë të cilat kanë qenë publike përmes raporteve 24-orësh në baza ditore të cilave mund t`i referoheni”, thuhej në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të gjitha qytetarët të bartin maska për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë objekteve të tyre të banimit si dhe të mbajnë distancë fizike 2 metra.

Gjithashtu me këtë vendim, Qeveria obligon të gjitha institucionet publike dhe private që të mbajnë dezinfektant për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyje të objekteve.

Related Articles

Back to top button