Në Republikën Çeke 10,000 të infektuar brenda një dite

Çekia shënoi një shifër rekorde sa i përket të infektuarve me covid-19, brenda 24 orëve u regjistruan 9,721 raste të reja.

Sipas autoriteteve shëndetësore të vendit brenda të njejtës periudhe 24 pacientë kanë humbur betejën me virusin duke rritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 1.230.

Deri më tani në vendin me 10.7 milionë banorë janë infektuar 149,010 persona, 50.000 prej tyre vetëm javën e kaluar.

Për të përballuar fluksin e pacientëve me koronavirus nëpër spitale autoritetet shëndetësore kanë vendosur shtyrjen e operacioneve jo të domosdoshme.

Qeveria çeke ka paralajmëruar se deri në fund të tetorit sistemi shëndetësor mund të përballet me kolaps.

Ushtria e vendit është vendosur në gatishmëri. Në fundjavë ajo do të nisë ndërtimin e një spitali në Pragë, për 500 pacientë. Ndërsa po ashtu mendohet të veprohet dhe për qytetin e dytë më të madh të Çekisë, Bërno.

Qeveria po ashtu është duke negociuar me Gjermaninë fqinje dhe disa vende të tjera për trajtimin e shtetësave të saj , nëse sistemi i tyre shëndetësor e ka të pamundur të përballojë fluksin.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka aktualisht shkallën më të rëndë të infektimit në Evropë, me 660 të infektuar në 100,000 banorë, gjatë 14 ditëve të fundit.

Check Also
Close
Back to top button