Lajme

Rama mbi deklaratat e ministrit Vulin: Presidenti i Serbisë t’i kërkojë ndjesë Shqipërisë

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës në Tiranë shkaktoi reagime në Serbi, përfshirë edhe reagimet e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ndërkohë këtyre reagimeve iu është kundërpërgjigjur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë një konference për mediat me temë “Ekonomia në fokus”, Rama tha se për deklaratat e ministrit Vulin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, t’i kërkojë ndjesë Shqipërisë.

“Për sa i përket fatkeqësisë natyrore që zbulova se gjendet në kushtet e veprimit permanent në Qeverinë e Serbisë në trajtën e një ministri, mund të them që unë vazhdoj pres që presidenti i Serbisë të kërkojë në emër të Republikës së Serbisë ndjesë për atë fatkeqësi natyrore. E mirëkuptoj që mund mos ketë fuqi mbi atë fatkeqësi, por atë fatkeqësi le ta mbajë për vete dhe për Serbinë”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit Rama, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, “ka vazhduar më tutje me procesin”.

“Ambasadori i Serbisë është thirrur apo do të thirret për t’i bërë me notë verbale, vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në Qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë Qeverinë e Shqipërisë apo figurën e një ministri apo të kryeministrit të Shqipërisë”, theksoi Rama.

Kujtojmë se kryeministri Rama, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare më 2 tetor u shpreh se do të firmoset “përfundimisht edhe marrëveshja që e kalon Doganën e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen Portin e Durrësit në një port të Kosovës defakto”.

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, përveç disa deklaratave të tjera, në një deklaratë publikuar në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, disa ditë më parë kishte theksuar se “Duke deklaruar se Porti i Durrësit do t’i përkasë Kosovës, Edi Rama, vazhdoi me përpjekjet e tij për të krijuar një ‘Shqipëri të Madhe'”.

Ndërkohë, konferenca për mediat e kryeministrit Rama, ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe ministrit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, kishte në fokus politikën e rritjes së pagave në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë me efekt financiar nga janari 2021.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, konkretisht rritja e pagave për sektorin e shëndetësisë do të jetë 40 për qind mbi pagën e funksionit për mjekët, infermierët, laborantët e shërbimeve parësore e dytësore të shëndetit publik dhe 15 për qind për mësuesit e sistemit parauniversitar.

Related Articles

Back to top button