Ardita Sinani uron 28 nëntorin
Të nderuara motra, të nderuar vëllezër kudo që jeni,
Me krenari të madhe Ju uroj ditën e Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë!
Frymëzimi shpirtëror i cili na vjen në këtë festë të madhe, na bën të gjithëve që sot me përulësi t’i kujtojmë të gjithë dëshmorët, të flijuarit dhe veprimtarët që kontribuuan secili në mënyrën e vet për çështjen kombëtare!
Festa kombëtare, dita e flamurit në vazhdimësi na inspiron dhe motivon në angazhimet tona të përbashkëta për realizimin e aspiratave legjitime kombëtare.
Ky frymëzim shpirtëror posaçërisht është i rëndësishëm për Shqiptarët në Luginë të Preshevës të cilët po vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të rënda jetësore.
Uroj që inspirimi që rrjedh nga kjo atmosferë festive të ndikoj në ngritjen e vetëdijes për unitet në veprim për temat me interes kombëtar e sidomos sa i përket zgjidhjes së problemeve ekzistenciale të Shqiptarëve të komunës së Preshevës.
Bashkimi i spektrit politik për të paraqitur të bashkuar problemet tona edhe pse të njohur për shtetin ku jetojmë, është një mekanizëm shtesë në luftën tonë të drejtë politike dhe proaktive!
Në këtë drejtim është e domosdoshme që uniteti në veprim i spektrit aktual politik të jetë së paku i njejtë me unitetin që e patën subjektet politike kur u organizua Referendumi i 1 dhe 2 Marsit të ’92.
#Pozita e Shqiptarëve në Serbi aktualisht është shumë e rëndë dhe shumë delikate, me shkallë rekorde të papunësisë, me shpërngulje masive, diskriminim të vazhdueshëm dhe spastrim në heshtje!
Niveli i statusit të ardhshëm të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës do të varet edhe nga intensiteti i angazhimit të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës për t’i përkrahur Shqiptarët e këtij rajoni në realizimin e kërkesave e aspiratave Tona të drejta, transparente dhe legjitime për #Bashkim më R. e Kosovës!
Ne mendojmë se kjo është zgjidhje e vetme, e drejtë, e përhershme dhe përfundimtare e problemeve mes R. së Kosovës dhe Serbisë, poashtu si zgjidhje e vetme e drejtë e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjate në rajon!
#Bashkë në përvjetorët e ardhshëm
Urime të përzemërta,
Ardita SINANI