Deklarata kombëtare për pasivizimin në Luginë, hapi i parë tani duhen hapa te tjerë
Nga Muharrem Salihu, Drejtues i AFEDS
Si aktivist kombëtar, ndonëse aktiviteti im kryesor ekonomik është jashtë vendit, e mirëpres fuqishëm deklaratën e përbashkët të dy ministrave të jashtëm, respektivisht të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me ndalimin e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, posaçërisht të Medvegjës. Jam i lumtur që angazhimi im personal, i bashkëpunëtorëve të mi, mirëkuptimi kombëtar i dy ministrave, Gent Caka dhe Meliza Haradinaj Stublla prodhoi një dokument për tu marrë shënim ndërkombëtarisht për një dukuri të shëmtuar, të padrejtë, burracake, që qeveria serbe është duke ndërmarrë tash sa vite në dëm të shtetasve të vet, të etnisë shqiptare.
Mirpo ky pasivizim është shkak për humbjen e të drejtave themelore të bashkëvendasve të mi, të drejtës së pronës, të drejtës së votës, në një farë mënyre janë përpjekje për shkulje nga rrënjët të individëve, familjeve, esencës sonë kombëtare në ato troje.
Ndalimi i pasivizimit është hap përpara për të ndalur erozionin tonë kombëtar, hemoragjinë njerëzore në viset e veta autoktone, të atyre pak shqiptarëve që kanë mbetur në to.. Mirpo ne duhet të adresojmë plotësisht rikthimin e atyre që kanë humbur të drejtat themelore. Ndaj bashkë me pasivizimin duhen adresuar gjithë pasojat e veta më të rëndësishme me një program të mirëfilltë masash shtetërore, kombëtare dhe pse jo ndërkombëtare.
Shqipëria ka hapësirën e vet të manovrës, ndërsa Kosova mund të reagojë ndryshe.
Nëse masat e pasivizimit janë korrekte, atëherë Serbia do duhet të pranojë që dhe Kosova të ndërmarrë të njëjtat hapa: të pasivizimit të adresave të atyre shtetasve të vet, apo banorëve të vet që janë zhvendosur nga territori i saj. Serbia të mendojë:
nëse do pranojë pasivizimin e adresave për shtetasit e vet të etnisë shqiptare, atëherë duhet ta pranojë kundërreagimin e Kosovës.
Nëse Serbia kërkon rikthimin e bashkëkombasve të vet në Kosovë, atëherë duhet të pranojë rikthimin edhe të bashkëvendasve tanë në Luginë, posaçërisht në Medvegjë.
Shqipëria dhe Kosova kanë hedhur një hap të madh konkret përpara me financimin e Zyrës Përfaqësuese të Këshillit Kombëtar. Unë dua të besoj se hapja e kësaj zyre dhe në Medvegjë, punësimi i disa njerëzve atje, do të mundësojë ndjekjen e problemeve të krijuara në dëm të shqiptarëve atje, dokumentimin e tyre dhe ngritjen në nivelin e duhur të tyre.
Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë gati për ndërkombëtarizimin e këtij problemi, nëse Serbia nuk reagon si duhet. Ne duhet të bashkëpunojmë me qeveritë e vendeve tona në mënyrë që të prodhohen inisiativa sa më realiste. Deklarata është hap në drejtimin e duhur, që duhet ndjekur nga të tjerë hapa.