Shtëpia e shëndetit në Preshevë thirrje qytetarëve

Qytetarë të nderuar të Komunës së Preshevës e më gjerë
Situata e krijuar me virusin COVID 19 sa vjen e po bëhet më e rëndë. Ekipet mjekësore të Komunës së Preshevës e më gjerë po bëjnë të pamundurën për t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që dyshojnë që janë të infektuar me këtë virus shumë të rrezikshëm që po u merr jetën njerëzve tinëzisht.
Në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne, e veçmas për personelin mjekësor, ndihma juaj, qytetarë të dashur është më se e nevojshme.
Andaj,
Ju ftojmë që të jeni të kujdesshëm, e gjithmonë duke pasur parasysh këtë gjendje të rëndë dhe duke pasur parasysh rritjen e numrit të të infektuarve nga ky virus, të bashkëpunoni me personelin mjekësor të COVID ambulantes e të mos vonoheni në paraqitjen për vizitë, sepse çdo vonesë juaja nënkupton rrezikshmëri të lartë dhe dëmtim të shëndetit tuaj të shëndetit të atyre që na rrethojnë, e mbase edhe humbje të betejës ndaj virusit COVID 19.
Ju ftojmë që të bëni trajtim adekuat në COVID ambulanten, sepse trajtimi jo adekuat i të sëmurëve nga individë qofshin edhe shëndetësorë nëpër ordinanca jo të specializuara private nënkupton vonesë e trajtimit të mirëfilltë.
Ju lutemi që, posa të vëreni shenja të virusit të drejtoheni te COVID ambulanta për t’iu nënshtruar analizave serologjike e PCR si dhe analizave të tjera e grafisë së mushkërive, në mënyrë që të mos jetë vonë për shëndetin tuaj. Keni parasysh që në çdo kohë keni mundësi të konsultoheni me të dy pneumologët në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, e që mbase do të ju shërbente që me kohë të evitonit më të keqen.
Qytetarë të dashur
Ju apelojmë të jeni të kujdesshëm që të ruani jo vetëm shëndetin tuaj, por edhe shëndetin e atyre që janë përreth jush. Me shpresë që ky apel yni do të has në mirëkuptim, mirëpresim bashkëpunimin tuaj.
Shëndet!