OBSH-ja paralajmëron se pandemia e COVID-19 nuk është më e madhja
Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë paralajmëruar se pavarësisht se situata e pandemisë së koronavirusit ka qenë shumë e rëndë, ajo “jo domosdoshmërish është më e madhja” dhe se bota duhet të mësohet se si të jetojë me COVID-19.
“Bota kishte shpresuar për imunitet të tufës, që në një mënyrë bartja do të ulej nëse njerëz të mjaftueshëm do të ishin imunë”, ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve të OBSH-së për sëmundjet infektive, David Heymann, në konferencën e fundvitit.
Por ai ka shtuar se kjo ishte keqkuptuar.
“Duket se fati i COVID-19 është që të bëhet endemi, pasi ka edhe katër koronavirusë të tjerë, dhe do të vazhdojë të ketë mutacione teksa riprodhohet në qeliza”, ka vazhduar ai. “Fatmirësisht, kemi mjete për të shpëtuar jetë, dhe këto në kombinim me shëndetin e mirë publik do të na ndihmojnë të mësohemi të jetojmë me COVID-19”.
“Skenari më i përshtatshëm është që virusi të bëhet një tjetër virus endemik që do të mbetet njëfarë kërcënimi, por kërcënim shumë i vogël në kontekst të një programi efektiv të vaksinës globale. Mbetet të shihet puna e vaksinës, se sa do t’i afrohemi nivelit të mbulimit që mund të na japë shansin të shkojmë për eliminim. Ekzistenca e vaksinës, edhe pse me efikasitet të lartë, nuk garanton eliminimin apo zhdukjen e infektimit. Është nivel shumë i lartë që të jemi në gjendje ta arrijmë”, ka thënë kreu i programit të emergjencave në OBSH, Mark Ryan.
Ryan ka thënë se qëllimi i parë i vaksinës është të shpëtojë jetë e të mbrojë ata të cilët janë në rrezik. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se pandemia e ardhshme mund të jetë edhe më e rëndë.
“Kjo pandemi ka qenë tejet e rëndë… ka prekur çdo kënd të botës. Por jo domosdoshmërish është më e madhja. Kjo është thirrje për zgjim. Po mësojmë, tani, se si t’i bëjmë gjërat më mirë: shkenca, logjistika, ushtrimet e qeverisja, se si të komunikojmë më mirë”, ka deklaruar më tej ai duke theksuar se “jetojmë në një planet të brishtë”.
Në gjithë botën, nga fillimi i pandemisë janë prekur mbi 81 milionë njerëz nga COVID-19, ndërsa 1.7 milionë kanë vdekur.