Lajme

Shqipëria e ndihmon Kroacinë me 250 mijë euro

Një shtëpi e rrënuar nga tërmeti në fshatin Prokopa të Kroacisë, 30 dhjetor, 2020.

Shqipëria e ndihmoi me 250 mijë euro Kroacinë, e cila të martën u godit nga një tërmet shkatërrues.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ka nënshkruar dekretin për doancion, për të ndihmuar “rilindjen e Petrinjës”, qytetit me pasojat më të mëdha.

“Kroacia është një shembull i rezistencës dhe një rol model për ne, sa i përket transformimit të saj të mahnitshëm në një vend krenar të BE-së”, shkroi Rama në Twitter.

Tërmeti i së martës në Kroaci ka pasur fuqinë e 6.3 shkallëve të Richterit, ndërsa epiqendra e tij ka qenë tri kilometra larg Petrinjës.

Së paku shtatë persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për të mbijetuar të mundshëm nën rrënoja.

Më herët, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ofroi Kroacisë mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në tejkalimin e pasojave të tërmetit.

Dridhje toke ka pasur edhe sot në Kroaci, ndërsa Qeveria e vendit ka shpallur 2 janarin ditë zie.

Related Articles

Back to top button