Lapidari dhe zgjedhjet në Preshevë
Largimi i lapidarit në Preshevë, tetë vjet më parë, paraqet turpin më të madh kombëtar të historisë tonë më të re në Luginë.
Ky akt shënonte vrasjen për së dyti të dëshmorëve të kombit.
Derisa qeverisja serbe paralajmëronte heqjen me çdo kusht të tij ose zhvendosjen në një vend tjetër me marrjen e lejes paraprake, klasa e atëhershme politike në Preshevë rrinte dhe vetëm bënte sehir.
Madje, kur lapidari u hoq, udhëheqësit e Preshevës u arsyetuan se as që ishin në qytet atë natë.
Kjo le të kuptohet se ndoshta ishin për vizitë tek tezet, dajët, hallat…
Mbase po të kishin qëlluar aty do ta “faronin xhandarmërinë në stilin e Rambos”.
Por edhe kur u kthyen, politikanët e kohës nuk ndërmorrën asgjë: “kërkuan me ngulm kthimin e lapidarit”, bile edhe i parashtruan pyetje pushtetit serb se, “ku e keni çuar lapidarin “?!!
Pra, klasa e atëhershme politike e Preshevës u tall keq, jo vetëm me lapidarin por edhe me dëshmorët dhe familjet e tyre.
Edhepse ishte çështje orësh se Serbia do ta largojë atë, askush nuk pati guximin të ftojë popullin në mbrojtje të lapidarit.
Ata që tërë kohën kishin plot gojën “Kosovë Lindore, bashkangjitje, UÇK “….e që bojkotonin zgjedhjet parlamentare e ato për Këshillin Nacional, ishin strukur në biruc të miut.
Të njejtit janë që sot dëshirojnë të kthehen përsëri në pushtet dhe me të njejtën “Kauzë “ por pa asnjë plan dhe program dhe vetëm duke fyer e shpifur ndaj klasës së re politike.
Janë të njejtit që komunën e Preshevës e shndërruan në një bashkësi lokale.
Në kohën e tyre u shkatërruan shkollat, infrastruktura,u larguan gjykatat, inspeksionet, bankat..
Bile as targat e automjeteve nuk i siguruan duke e bërë Preshevën krahinë të Vranjës.
Andaj, zgjedhjet e ardhshme në Preshevë janë një test për qytetarët e kësaj komune: Për t’i rikthyer në pushtet ata që dështuan gjithandej dhe që krijuan ambient mesjetar apo për të vazhduar epokën e qeverisjes ndryshe? Atyre që kanë guxim, që kanë ide dhe vizion dhe që sjellin rezultate.
Unë, isha përcaktuar për variantin e dytë.
Nëse për asgjë tjetër, për shkak të frikës nga e kaluara dështuese dhe e dëmshme!
Shkrim i publikuar në portalin informativ FolOnline nga redaksia.