Lajme

Serbia zgjedh Kinën për vaksinën, Vuçiç: BE na ka braktisur

Radhë të gjata janë krijuar jashtë një qendre mjekësore në Beograd.

Programi i vaksinimit në Serbi po ecën me shpejtësi falë dhënies së 1 milion dozave nga Kina. Për ata që vaksinohen, lehtësimi është i dukshëm.

“Më në fund mora vaksinën. Ndihem shumë mirë sepse do të mund të bëj sërish një jetë normale. Nuk aplikova për ndonjë vaksinë të veçantë, zgjodha një dosido dhe jam e lumtur që e bëra”, u shpreh Branka Kosuh, banore e Beogradit.

Serbia importon vaksinën “Sinopharm”, që është miratuar gjithashtu në Emirate.

Faza e tretë e testimit e renditi efikasitetin e saj mes 79 dhe 86 për qind, sipas rezultateve të përkohshme.

Blerja e saj ka bërë që popullsia serbe të jetë e dyta në Evropë për nga vaksinimi, me 4.6 doza për 100 banorë, pas Mbretërisë së Bashkuar por përpara vendeve të mëdha të BE-së.

Aleanca e Serbisë me Kinën i ka rrënjët e thella. Pekini ka investuar masivisht në vendin ballkanas, që shpreson të bëhet nyje e projektit Brezi dhe Rruga.

Dhe kritikave për strategjinë e tij të vaksinimit, presidenti Vuçiç iu përgjigjet duke thënë se ai po garon në një luftë globale për furnizim, ku vendet e varfëra janë lënë pas dore.

“Është sikur bota të ketë goditur një ajsberg, si “Titaniku”, të pasurit dhe më të pasurit shpëtojnë veten dhe njerëzit e tyre. Ata kanë përgatitur varka të shtrenjta shpëtimi për ta dhe ne që nuk jemi të pasur, por jemi të vegjël si vendet e Ballkanit perëndimor, po mbytemi bashkë me “Titanikun”. Ky mund të mos jetë qëllimi i tyre, por nuk u intereson shumë”, deklaroi Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë.

Serbia ka marrë deri tani një ngarkesë me 10 mijë doza “Pfizer”, por presidenti Vuçiç thotë se vendi do të marrë vaksinën kineze.

Related Articles

Back to top button