Lajme

“Vuçiq në pozitë të palakueshme”, zbardhen arsyet pse po e kërcënon Kosovën me luftë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërcënuar sërish Kosovën me luftë.

“Nëse Kosova përpiqet të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, befasitë e shumta do ta presin atë. Ata e dinë që unë nuk po gënjej. Unë nuk jam vetëm duke iu drejtuar atyre, por edhe mentorëve të tyre. Dhe, unë them se ata do të kenë shumë surpriza, jo një ose dy”, ka thënë Vuçiq, duke hedhur akuza ndaj Kosovës së nuk është e gatshme për kompromis.

“Një konflikt i ngrirë do të thotë të presësh që dikush të nxjerrë i pari shpatën, nuk do të doja që bijtë e mi të shkojnë në luftë. Nuk duhet të na hyjë gjaku në trurin tonë, duhet të jemi realistë, njerëzit duhet të dinë se cilat janë të gjitha rreziqet e një konflikti të ngrirë. Shqiptarët nuk janë në thelb të gatshëm për një zgjidhje kompromisi”, është shprehur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

E lidhur me këto kërcënime të Vuçiqit, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe publicisti, Rexhep Shahu.

Rexhep Shahu
“Vuçiq është në pozitë të palakueshme e të pafavorshme, dhe Kosova i ka mbetë varka e vetme me të cilën tenton të turbullojë ujërat diplomatike e të thërrasë vëmendje nga politikbërësit e mëdhenj. Vuciq e din më mirë se të gjithë politikanët shqiptar se Kosova është e pavarur dhe se Serbia e ka humbur Kosovën me luftë, e ka humbur se nuk ka patur shpatulla ta mbajë Kosovën”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas Shahut, kërcënimet e Vuçiqit vijnë pasi ushtarët e Kosovës u përfshinë në misionet paqeruajtëse së bashku me ushtarët amerikanë.

“Por ai bën luftë fjalësh sa herë të mbetet në cektësirë diplomatike. Nuk është e lehtë sot të nisë luftë kundër Kosovës Serbia sepse është agresion ndaj një shteti te pavarur, është sfidë NATO-s dhe Amerikës, ndaj një shteti si Kosova që sot ka ushtri, që ka mbështetje ndërkombëtare, por që ka një ushtri e një rini që sot pasi është bërë një brez njerëzor në liri, nuk e tolerojnë dot pushtimin dhe e kanë talent luftën. Ushtarët profesionistë të Kosovës janë ndër më të talentuarit në botë për luftë. Sapo Amerika e mori ushtrinë e Kosovës si partnere të saj në operacione paqeruajtëse ndërkombëtare, Vuçiq kërcënon për luftë. Por Vuçiq e din se ende NATO është në Kosovë, e din se Kosova ka trupa te NATO-s”, thekson Rexhep Shahu për “Bota sot”.

“Vuçiq me parë mund të dalë të këndojë para publikut serb se sa të mundet e të guxojë të nisë lufte ndaj Kosovës sepse humbet edhe me shumë se ka humbur. Vuçiq e Serbia mendojnë se mund të kenë zonë gri në Kosovë njerëzit e paknaqur me pushtetarët shqiptar. Edhe më i keqi pushtetar shqiptar është më i mirë se çdo pushtetar serb. Edhe nxitja apo sponsorizimet që bën Vuçiq për ngjalljen e enverizmit e të radikalizmave fetare islamike në Kosovë, duke ngjallur parulla të tipit se enveristët janë patriotë, parulla për fushatë elektorale, nuk kthehen në favor të Vuçiqit”, shton publicisti Shahu.

Për fund, Shahu ka treguar synimin e Vuçiqit me kërcënimet për luftë.

“Është edhe një shtysë e pamje tjetër, që me këto presione e kërcënime që bën Vuçiq në Kosovë për luftë, ai tenton të nxisë njerëzit në Kosovë që të votojnë partitë e parullave nacionaliste që Serbia ta ketë gojën çelë nesër e të thotë se janë shqiptarët merren me nacionalizma e këndojnë këngë trimërishte… Pastaj e fundit, lufta është ekonomi. Nuk ka ekonomi Serbia për luftë dhe nuk ka popull idiot në Serbi as nuk ka ushtrinë e Milosheviqit. Në Serbi jetojnë njerëz e jo kafshë e mish për top për Vuçiqin”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

Related Articles

Back to top button