Ardita Sinani i uron punë të mbarë e sukses Albin Kurtit
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbrëmë e votoi Qeverinë e re të Kosovës. Kështu u kurorëzua vullneti popullor i shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryeministrit, z.Albin Kurti dhe kabinetit qeveritar i uroj punë të mbarë e sukses në sfidat e shumta që e presin.
Vota e madhe popullore është përgjegjësi e madhe në menaxhimin e plotësimin e pritjeve dhe shpresës së qytetarëve. Kjo kërkon angazhim vetëmohues e punë të palodhshme përpara.
Përbërja gjinore e ekzekutivit është lajm inkurajues. Këtë radhë, më shumë se kurdoherë më parë, Kosova do ta ketë rastin ta sheh dobinë e grave në politikë sikur në përfaqësim me rritjen e përqindjes së grave deputete, sikur në ekzekutiv me një të tretën e dikastereve ministrore të udhëhequra nga gratë. Kjo vjen falë angazhimit të fuqishëm të grave në këtë proces zgjedhor, që po i prodhon frytet e para.
Do të jem e gatshme dhe shumë e interesuar që të thellojmë bashkëpunimin me Qeverinë e re të Kosovës nga pozicioni i ri i imi si kryetare e Preshevës. Presim nga Qeveria e re që ta shtojë fokusin dhe përgjegjësinë karshi Luginës në përgjithësi e Preshevës në veçanti. Që ky bashkëpunim të jetë domethënës e frytdhënës na duhet një tjetër qeverisje në Preshevë që ka vizion për komunën, përkushtim për punën dhe seriozitet e dinjitet për politikën.
Kosovës Urime!
Preshevës Urime pas 28 marsit!