Po na përgatisin për një pandemi të re: Nënshkroi edhe Shqipëria dhe Serbia
Udhëheqësit e 23 vendeve dhe OBSH mbështetën idenë e krijimit të një marrëveshje ndërkombëtare, e cila duhet të ndihmojë të gjithë botën kur ndodh një pandemi e re.
Ideja, e cila bazohet në një përgjigje unike ndaj pandemisë dhe qasjes së barabartë në vaksinat dhe pajisjet mjekësore, u përmend për herë të parë në Samitin e fundit të G20 dhe u prezantua nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.
“Do të ketë më shumë pandemi dhe urgjenca të ngjashme të mëdha shëndetësore. Asnjë qeveri ose organizatë shumëpalëshe nuk do të jetë në gjendje të merret me këtë individualisht,” shkruajnë udhëheqësit e 23 vendeve, së bashku me një përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ishte edhe më preciz, duke folur për mundësinë e një pandemie të re: “Nuk është çështje nëse do të ketë, por kur do të jetë”.
Prandaj, qëllimi i përfundimit të një marrëveshje ndërkombëtare duhet të jetë forcimi i përgjigjes ndaj pandemive të tilla përmes një sistemi të përbashkët të paralajmërimit, prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, diagnostikimit dhe mbrojtjes personale.
Sipas Reuters, vendet që nënshkruan iniciativën janë: Fixhi, Portugalia, Rumania, Britania e Madhe, Ruanda, Kenia, Franca, Gjermania, Greqia, Korea, Kili, Kosta Rika, Shqipëria, Afrika e Jugut, Trinidad dhe Tobago, Hollandë, Tunizia, Senegali, Spanja, Norvegjia, Serbia, Indonezia, Ukraina, si dhe OBSH.