Preshevari Selim Selimi e pret me lule Albulena Haxhiun për dorëzimin e detyrës së ministres së drejtësisë (Foto)
Selim Selimi me prejardhje nga Presheva ka dorezuar sot postin e tij si Ministër i Drejtësisë. Ministri Selimi gjate qeverise Hoti ka udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë.
Sot zyrtarisht është bërë pranimi-dorezimi i detyrës nga Ministri i Drejtësisë, z. Selim Selimi tek Ministrja Albulena Haxhiu, edhe perkunder faktit se kur Selim Selimi mori kete post Albulena Haxhiu nuk ia kishte dorezuar, Selimi sot ate e ka prit me lule gjate dorezimit te postit.
Postimi i plote i Selim Selimit:
Përgjatë këtyre muajve bashkë me ekipin tim dhe stafin e Ministrisë së Drejtësisë kemi arritur t’i japim kahje të duhur punëve të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.
Gjatë mandatit tim si ministër, viktimave të dhunës në familje përmes Memorandumit me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe me sektorin e shitësve me pakicë ua mundësuam punësimin në menyrë që pavarësia financiare t’i bëjë ato më të emancipuara.
“Këndin e Kurajos” e sollëm si dëshmi që zëri i institucioneve tona gjithmonë do të kërkojë drejtësi pë viktimat seksuale të luftës. Përmes një ekspozite me fotografi të autorit Alban Bujari, që dokumentojnë krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe e vënë në pah, sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës, u zotuam se për të gjitha vuajtjet e njerëzve tanë do të vendoset drejtësia në vend.
Procesi i Rishikimit Funksional, i cili kishte filluar kohë më parë, përfundoi me të gjitha palët në tavolinë, duke shënuar kështu një moment historik në sistemin tonë drejtësisë.
Vettingu si proces i domosdoshëm, sot ka modalitetet e propozuara nga Shoqëria Civile dhe të gjithë hisedarët e drejtësisë, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit përfunduam projektligjin për Avokturën Shtetërore dhe Agjencinë Kundër Korrupsion, të cilave institucione iu mundësohet ndërhyrja direkte në parandalimin e korrupsionit.
Po ashtu përfunduam punimet në projektligjin për Gjykatën Komerciale dhe në Kuvendin e Kosovës proceduam Projekt-Kodin Civil.
Tashmë me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, gjykimi në mungesë është i mundur për të gjithë kriminelët serbë, të cilët nuk morën asnjëherë dënimin e merituar.
Së fundi, por jo më pak e rëndesishme, Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili radhitet si institucioni i dytë më i besueshëm pas FSK-së, ka marrë edhe shtesat e merituara në pagë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ekipi i shërbimit korrektues gjatë tërë pandemisë arriti që shkëlqyeshëm t’i menaxhoi burgjet dhe të kujdesen për shëndetin e të burgosurve.
Ministres Haxhiu i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Si juriste dhe kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës për shumë mandate jam i bindur se ministrja Haxhiu do të jetë krah i fuqishëm për konsolidimin e sistemit të drejtësisë.
Sfidat janë të mëdha, por gjithçka mund të realizohet kur beson në institucionet e Republikës së Kosovës!