Ardita Sinani: Do të jem kryetare e të gjithëve
Pas zgjedhjes se kryetares Ardita Sinani para qytetareve dhe para keshilltareve ne kuvendin komunal mbajti fjalimin e pare si drejtuese e Presheves.
Të nderuar këshilltarë të Kuvendit Komunal të Preshevës,
I respektuari kryetar i Kuvendit z.Sami Salihu,
Sot është një ditë e re për komunën tonë të lashtë. Sot jetësuam vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 28 marsit.
Kjo qeverisje e re ishte vullnet i qytetarëve të cilët votuan me shumicë që ish-opozita të bëhet pushtet i ri dhe që pushteti i vjetër të jetë opozitë e re.
Sot përfaqësimi është vullneti dhe zëri i popullit. E kjo është tejet me rëndësi. Sepse të gjithë ne, në këtë sallë jemi këtu për ta përfaqësuar vullnetin e popullit. Jemi shërbyes të përkohshëm të tij. Siç ishin ata dhe ato para nesh dhe siç do të jenë ata dhe ato që do të vijnë pas nesh.
Pra jemi përbërje e re duke qenë edhe vazhdimësi. Sepse Presheva as nuk ka lindur me ne dhe as nuk do të përfundojë me ne..
E them këtë për dy arsye. Njëra sepse ndjejë që kemi prirje ta harrojmë historinë dhe kontributin e shumë personaliteteve të komunës sonë, e tjetra sepse jo rrallëherë keqkuptojmë të rejën.
Prandaj sot uroj ta hapim këtë kapitull të ri politik duke reflektuar përtej çështjes së një pushteti të ri. Se pushtetet ndërrohen, por Presheva mbetet. E reja e sotme mund të lind vetëm nëse fillojmë ta ndryshojmë edhe veten. Mënyrën e të menduarit, mënyrën e të vepruarit.
Sado me probleme të ngjashme, komuna jonë nuk është komunë e zakonshme si komuna e Surdulicës, Kamenicës ose Krivo Pallankës. Komuna jonë është para së gjithash komunë e shtypur. Komunë e diskriminuar. Komunë e nëpërkëmbur. Kjo vetëm sepse shumica e qytetarëve e komunës sonë kanë etni, gjuhë, kulturë ose religjon tjetër.
Sigurisht se kjo nuk nënkupton se duhet të shtypim të tjerët aty ku mundemi. Në Preshevë ka vend për të gjithë, pa dallim etnie, feje, ngjyre dhe gjinie. Presheva është e të gjithëve. Por, sot, le të shërbejë kjo ditë për të kuptuar një herë e përgjithmonë se komuna jonë qeveriset nga qytetarët e saj, e jo nga gishtat e teledirigjuar nga Beogradi.
Për këtë ditë ku Presheva qeveriset nga banorët e saj kanë vepruar, kanë rezistuar dhe kanë derdhur gjak shumë bashkëqytetarë tanë. Nga Maksut Shehu e Haxhi Abazi të Lidhjes së Prizrenit e deri te Idriz Seferi, Molla Sinan Maxhera, Shaip Mustafa, Abdullah Krashnica, Xheladin Kurbalia, Riza Ilinca, Ymer Efendi-Aliu, Ibrahim Kelmendi, Skender Kadriu, Limon Staneci, Adem Kamberi, Ali Aliu, e shumë të burgosur dhe të diferencuar politikë, deri së fundi dëshmorët, veteranët dhe invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Lavdi veprës së tyre!
Prandaj është nder i madh për mua që me bekimin tuaj dhe vullnetin e qytetarëve t’iu drejtohem nga foltorja e këtij Kuvendi në cilësinë e Kryetares më të re të Komunës. Komunës së Mehmet Jusufit.
Dua të falenderoj sot të gjithë ata që më kanë mbështetur përgjatë viteve: qytetarët, aktivistët dhe anëtarët e Partisë për Veprim Demokratik. Faleminderit kryetar, Shaip Kamberi, për mbështetjen e parezervë.
Plotë dashuri për bashkëshortin tim Kastriotin dhe fëmijët e mi, Lisin dhe Albën, të cilët më mirëkuptuan dhe më përkrahën në momente jo gjithëherë të lehta për ta, sidomos duke e marrë parasysh ambientin e kontaminuar lokal politik, me jo pak gjuhë urrejtje, gjuhë seksiste dhe shpifje, fyerje e lajme të rreme.
Faleminderit përfaqësuesve të Partisë Demokratike Shqiptare, Lëvizjes për Reforma dhe Unionit Demokratik Shqiptar që më besuan për ta drejtuar komunën në dy vitet e ardhshme.
Por, ky vullnet i juaj më veshi njëkohësisht me përgjegjësi. Jam e vetëdijshme se problemet janë të shumta. Se kemi shumë punë para nesh. E di sesa e vështirë është jeta për shumicën e qytetarëve. Shtypja në të drejta kombëtare dhe qytetare, papunësia dhe varfëria janë ankth i përditshëm.
Mirëpo, kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme nuk fitohet duke ju nënshtruar qeverisë autoritare dhe nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Presheva ka nevojë për liri, barazi dhe zhvillim. Njëra pa tjetrën është robëri.
Këtë frymëzim e mora nga vepra e të pavdekshmit Bardhyl Osmani.
Këtë mësim e mora nga leximi dhe njohja e veprimtarisë së dy liderëve të parë shqiptarë lokalë të pluralizmit, z.Riza Halimi dhe z.Ali Ahmeti. Pa e harruar të ndjerin z.Zeqirja Fazliu, e simbolin tonë të Referendumit, z.Ibrahim Kadriu.
Të dashur qytetarë të Komunës së Preshevës,
Komuna jonë nuk është pa potencial. Fshatrat tona kanë potencial të madh bujqësor. Veçanërisht komuna jonë njihet për kulturat e perimeve. Por potencial i madh është blegtoria. Veçanërisht në Malësinë e Karadakut.
Komuna e Preshevës ka po ashtu shumë biznese të vogla dhe të mesme. Këto biznese do të mund t’i shfrytëzonin shumë më shumë kapacitetet e veta nëse do t’u krijoheshin kushtet për punë dhe për punësim të të rinjve preshevarë. Dhe këtë do ta bëjmë me qeverisjen time. Një pjesë e rëndësishme e buxhetit do të bartet në grante për bizneset dhe do t’i përdori të gjithë mundësitë për të krijuar lehtësira tatimore për ta.
Por potenciali më i madh i jonë janë njerëzit. Rinia jonë. Kjo pasqyrohet çdo ditë nga shumë preshevarë të cilët janë sot emra të dalluar në profesionet e tyre kudo në rajon dhe në botë. Në Luginë, në Prishtinë, në Tiranë, në Mërgatë.
Prandaj sot ju kërkoj bashkëpunim. Sepse vetëm bashkërisht mund ta ndërtojmë Preshevën e Re. Preshevën që ka dëshmuar se edhe nën shtypje ka potencial të emancipohet, zhvillohet dhe demokratizohet.
Presheva e arsimit e Hilmi Qerimit, Demirali Hoxhës, Adem Ahmedit, Faruk Veliut dhe Ymer Shabanit.
Presheva e teatrit e Nexhati Rexhepit, Shenasi Hallaçit, Mirko e Marie Gashi, Mustafë Binës dhe Agron Boriçit.
Presheva e letërsisë e Qerim Arifit dhe Sahadete Preshevës.
Presheva e sportit e Hasan Kadriut, Musa Musahut, Ali Latifit dhe Afrim Ymerit.
Këta të ndjerë janë vetëm disa nga emrat e shumtë të fushave të ndryshme shoqërore që kanë dhënë shumë për Preshevën. T’i ndjekim hapat e tyre. Njërin prej tyre e humbëm para pak kohësh, hoxhën e nderuar dr. Adnan Ahmedi. Zoti e shpërbleftë me parajsë.
Të respektuar të pranishëm,
Ju siguroj se unë Ardita Sinani do të jem kryetare e të gjithëve, pa dallim përkatësie partiake, kombëtare, religjoze dhe gjeografike.
Unë do të jem kryetare e qytetarëve të komunës së Preshevës.
Do të jem edhe kryetare e opozitës parlamentare. Dera ime do të jetë gjithë e hapur për përfaqësuesit opozitarë të Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe.
Sot, Presheva është po ashtu lajm nga fakti se është bërë një nga komunat e pakëta shqiptare që ka një kryetare grua. Kjo nuk është e një rëndësie të vogël meqë e vendos Preshevën në listën e komunave më të avansuara e emancipuara politikisht. E kur në Preshevë përmendet roli i gruas në politikë dhe në sferën publike, pashmangshëm lakohet emri i zonjës Havçe Hasani. Respekt!
Prandaj, në qeverisjen time një rëndësi të veçantë do t’i jap punësimit të grave. Qeverisja e Preshevës me mua kryetare do të ketë programe të veçanta trajnimi për gratë dhe vajzat, në mënyrë që ato të përgatiten për tregun e punës, dhe për kërkesat e ekonomisë sonë lokale.
Zotohem para jush se do të angazhohem për katër segmente prioritare e themeltare
1. Bizneset, Bujqësia dhe Blegtoria – përmes të cilave e rrisim punësimin dhe arrijmë zhvillimin
2. Administratë për gjithë – administratë që qeverisë në mënyrë transparente dhe që i digjitalizon shërbimet për të garantuar barazi të qytetarëve në punësim e për ta luftuar nepotizmin
3. Ujin dhe mbeturina – furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për të gjitha vendbanimet e Preshevës dhe pastrim e menaxhim të mbeturinave për të gjitha lokalitet e komunës
4. Hapësira publike – shtimi i parqeve, këndeve të lojërave dhe hapësirave publike për qytetarët
Këto janë pikat programore që garantojnë një Preshevë më të zhvilluar, më të pastër, me më shumë barazi, më të bukur, e më dinjitoze.
Vërtetë ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri. Por nga sot fillojnë reformat. Dhe kthim prapa nuk ka.
Bashkë do ta bëjmë Preshevën!
Se Unë Jom me Preshevën
Ju faleminderit!