Ardita Sinani uron maturantët preshevarë
Me rastin e përfundimit të vitit shkollor për maturantët, kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, uron të gjithë maturantët preshevarë.
Duke ju dëshiruar vazhdimin e pjekurisë civile dhe civike, kryetarja Sinani po uron maturën e merituar. Ajo në të njëjtën kohë thotë se maturantët e komunës së Preshevës janë maturantë të rezistencës, maturantë bashkëkohor dhe janë maturantë të cilësisë të bëjnë përzgjedhjen e duhur drejtë avancimit të tyre në drejtimet përkatëse.
Urimi i plotë i Ardita Sinanit për maturantët.
“Ditë e bukur për maturantë të veçantë. Se maturantët në Preshevë mbeten ende pothuajse të vetmit nxënës të Evropës, të cilët ndjekin mësimet me tekste të ndaluara dhe me planprograme shkollore të kufizuara.
Ndonëse shteti nuk ua njeh historinë, kulturën e madje edhe letërsinë e muzikën; ata dhe ato janë plotë elan, vullnet e pasion për dije dhe aftësi.
Janë maturantë të rezistencës. Janë maturantë bashkëkohor. Janë maturantë të cilësisë. Siç i njoh shumë prej tyre si mësimdhënëse e tyre. Siç e dëshmojnë brezat e tyre paraprak, të cilët sot shquhen në universitetet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare; e në vendet e tyre të punës kudo që sot jetojnë.
Urime vazhdimin e pjekurisë civile dhe civike!
Urime matura e merituar!”