Personat e vaksinuar duhet të mbajnë maskë në zonat me transmetim të lartë
Personat e vaksinuar kundër COVID-19 duhet të mbajnë maska në rajonet ku transmetimi i virusit është i lartë, paralajmëroi sot OBSH. Ekspertët nga OBSH nuk komentuan drejtpërdrejt, duke theksuar se gjithçka varet nga konteksti epidemiologjik i secilit vend, megjithatë ata kujtuan se vaksinat nuk ofrojnë mbrojtje 100% nga COVID-19.
“Edhe në situata kur mbulimi i vaksinimit është i lartë, nëse ka shumë transmetim, ju nuk duhet ta hiqni maskën tuaj”, këmbënguli drejtori i ngarkuar me çështjet e urgjencës shëndetësore në OBSH, Michael Ryan, në një konferencë për shtyp.
“Në rastin e një vendi që dëshiron të zvogëlojë ose eleminojë mbajtjen e maskave ose të heqë masa të tjera të shëndetit publik dhe shoqëror, kjo duhet të bëhet vetëm duke marrë parasysh intensitetin e transmetimit në rajon, si edhe nivelin e mbulimit të imunizimit”, shtoi ai.
Deklarata e OBSH-së vjen vetëm një ditë pasi SHBA, ku numri i rasteve COVID-19 ka rënë ndjeshëm, njoftoi heqjen e rekomandimit për mbajtjen e maskës mbrojtëse për personat e vaksinuar. Përjashtimi i vetëm: autoritetet shëndetësore rekomandojnë që të vaksinuarit të vazhdojnë të mbajnë maskë në transportin publik.